Ai është vetëm 17 vjeç por ecuria e tij në sportin e atletikës ka qenë shumë e mirë që prej tre vitesh kur ai merret me këtë sport. Mënyra si është rritur, si i ka përmirësuar rezultatet, e ka bërë trajnerin e tij Dorian Tafa, të shprehet me superlativa për këtë sportist. Bëhet fjalë për Lulëzim Çangelin. Ai në garat e kampionatit kombëtar për të rritur të vitit 2011, është shpallur kampion i Shqipërisë në garën e 400 m/p me kohën 58″9. Një sukses shumë i bukur i këtij sportisti për të qenë më i mirë i vendit në këtë disiplinë. Por ky sukses nuk ka qenë i rastësishëm. Trajneri Tafa ekskluzivisht për www.shkodrasport.com do të bënte edhe bilancin e punës dhe arritjeve me këtë sportist. “Kam punuar prej tre vitesh me Çangelin dhe jam shumë i kënaqur me përmirësimin e vazhdueshëm të tij. Në vitin 2009, ndonëse vetëm 15 vjeç, ka dalë i treti në kampionatin kombëtar të të rriturve me kohën 62″. Në vitin 2010, ai është kampion i të rinjve në garën e 400 m/p me kohën 60″2. Gjatë vitit 2011 ndërkohë, ëshjtë kampion për 17 vjeçarët në garën e 400 m me kohën 53″03, pastaj në Kupën e Nderimit të Figurave, në garën e 400 m/p arrin kohë 58″7. Në garat e Kupës së Shqipërisë, që ishin njëkohësisht edhe të kampionatit të 20 vjeçarëve, në garën e 400 m/p arrin kohë 58″7 sërish për të mbërritur tek kampionati kombëtar i të rriturve që është suksesi më i madh i deritanishëm i tij me zënien e vendit të parë. Duke parë edhe progresin e këtij sportisti nga gara në garë, mendoj se kemi të bëjmë me një sportist të së ardhmes”-ka thënë trajneri Tafa. Por cilat janë karakteristikat e veçanta të këtij atleti? Trajneri Tafa i shpjegon qartësisht kur thotë: “E veçanta e Lulëzim Çangelit është se ai ka një fuqi të jashtëzakonshme, është i disiplinuar dhe ka një mbështetje të madhe nga familja e tij për arritjen e rezultateve pozitive. Natyrisht që duhet të vazhdojmë të punojmë sërish në këtë mënyrë për të arritur të tjera objektiva madhore. Për momentin do kërkojnë titullin kampion në 400 m/p edhe për vitin 2012 ndërsa brenda dy vitesh kemi në plan thyerjen e rekordit kombëtar të të rinjve që mbahet nga shkodrani i njohur Eusebio Haliti. Megjithatë para se të mendojmë për gjëra të mëdha, duhet t’i nënshtrohemi punës”.

shkodrasport.com