
Dy emra të mëdhenj të atletikës shkodrane (njëkohësisht edhe asaj shqiptare), pikërisht Oltion Luli dhe Niko Laro, janë zgjedhur dje anëtarë të kryesisë së Federatës Shqiptare të Atletikës. Ka ndodhur kështu pas votimeve të bëra në Asamblenë Zgjedhore të kësaj Federate që u zhvillua në Elbasan, aty ku presidenti aktual Gjergj Ruli është rikonfirmuar në këtë post edhe për katër vitet e ardhshme. Më pas është kaluar tek votimi për anëtarët e kryesisë. Janë propozuar 8 vetë për 6 anëtarët e rinj të kësaj kryesie dhe ndër to kanë qenë të propozuar edhe tre shkodranët, Oltion Luli, Niko Laro dhe Arben Mlloja. Dy të parët kanë arritur të fitojnë ndërsa Mlloja nuk ka marrë votat e mjaftueshme. E rëndësishme është që zëri i shkodranëve në kryesinë e re të Federatës së Atletikës do të jetë i pranishëm madje duhet dëgjuar fort sepse kemi të bëjmë me dy kampionë dhe rekordmenë të mëdhenjë si Luli e Laro. Drejtuesit e rinj kanë premtuar mbështetje maksimale për sportistët cilësorë dhe në veçanti për Luiza Gegën e shkodranin Izmir Smajlaj.
© shkodrasport.com