Lulzim Bërsheni është një nga figurat e njohura të Vllaznisë në vitet ’80. Ish-fantazisti që prej shumë vitesh jeton në Greqi, asnjëherë nuk humbet mundësinë për të ndjekur kuqeblutë apo edhe kampionatin shqiptar.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka komentuar humbjen e fundit të kuqebluve ndaj Skënderbeut. Po ashtu, ai ka folur edhe për ecurinë që kanë pasur 9 herë kampionët e vendit, duke theksuar se skuadrës i mungon loja e bukur.
Bërsheni, sa keni pasur mundësinë ta ndiqni kampionatin shqiptar në këtë periudhë?
E kam ndjekur me shkëputje realisht kampionatin shqiptar, për shkak edhe të kohës sime. Por ndeshjet më të forta kam pasur mundësi t’i ndjek dhe, nga ajo çfarë kam vënë re, është se nuk ka ndonjë cilësi të madhe, pavarësisht se kampionati është i rivalizuar dhe ekipet janë të ngjeshura. Por kjo vjen si rezultat i rënies së nivelit në përgjithësi të kampionatit dhe jo se janë rritur ekipet. Megjithatë, e rëndësishme është që ka garë dhe rivalitet.
Cila është skuadra që bën diferencën më shumë, sipas jush?
Në mendimin tim, është Egnatia disi më lart se ekipet e tjera. Më duket një skuadër që, prej 2- 3 sezonesh, ka krijuar një futboll stabël dhe një ekip shumë serioz. Në këtë garë, pak pas tyre besoj se qëndrojnë Vllaznia dhe Dinamo, por që mund të kenë mundësinë e tyre, duke parë edhe vetë formulën që ka kampionati me ndeshjet e “Final 4”.