Analizë nga Ervin BAKU

 

E njëzeta (20) jave e futbollit superior, ofroi shumëçka. Në rendiment e pozicione. Në lojë efektive e gabime njerëzore të arbitrave (ku dihet, mbase jo njerëzore). Në njerëz në shkallët e stadiumeve e njerëz në “protestë”. Nëse kreu mbetet po ai, poshtë, duket se beteja ka përfshirë thuajse të gjitha skuadrat (veç tre kryesueseve) për t’iu larguar fundit. E në respekt të numrit të takimeve të luajtura deri tani, një fanellë me numër 20 (koinçidencë me javët e deritanishme të Superiores) merr notën maksimale të javës. Është Emanuel Mensah i Laçit. Ai që me golin e shënuar ndaj Tiranës, mënyrën e realizimit, por dhe performancës që shfaqi në fushë, kthehet befas në protagonistin individual të javës. Zakoni e do që Lup-Java të nisë me kryesuesit mirëpo fitorja e bardhzinjve ndaj një Tirane në rrokopujë e sipër, e grish së tepërmi javën futbollistike. Sepse Tirana, pavarësisht emrit dhe trofeve, në dy daljet e fundit, duket se po bën “harakiri”. Përpos lojës virtuoze të bardhezinjve që merituan suksesin, bardheblutë e shfaqur me fanellën e tyre të tretë në Laç, treguan se janë nje grup i “dizenjuar” për të qëndruar jashtë Europës. E thotë ecuria e tyre, marrëdhënia e tifozëve me skuadrën e drejtuesit. E thotë mungesa e qartësisë në fushë. Për më tepër, mosbindja në lojë. Kukësi vijon të fitojë ndeshje në “fije të perit”, duke u mjaftuar me një gol të thjeshtë ndaj Teutës. Gjoka ecën me galopimin e kampionit. “Kjo është ajo që na duhet. Të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Ka kohë për spektakël”, shprehet tekniku. Nga ana tjetër Teuta, edhe pse tundohet nga loja e mirë, nuk po gjeneron pikë. Natyrisht beteja për t’u larguar nga fundi do të jetë prioritet i durrsakëve që me Gash Maganin në timon, kanë besim se do të ikin…! Në “Selman Stërmasi” ka një përballje titanike. Partizani prej të cilit pritet shumë, fiton me shumë vështirësi ndaj rivalëve të përhershëm të Vllaznisë. Madje një dorë jep dhe gjyqtari i takimit, që në limite të sfidës akordon një penallti e paqenë për të kuqtë. Duke ndjekur takimin, ndërsa një ish-bardheblu si Bakaj ndëshkon paraprakisht vendasit, vetiu vjen në mëndje se stadiumi i rivalëve të jetës, ai i Tiranës, e ka “mallkuar” Partizanin. Por jo! Tifozëria e kuqe feston dhe Starova (edhe pse pas takimit mund të ketë pasur rezerva për të tijtë) ka të drejtë të thotë…”jam në rrugën e duhur”. Shkodranët e Cungut gjënden në “hall”. Janë arritur në klasifikim nga ndjekëset. Tekniku lëshon “bombën”. “Ne po luajmë në fushë”, duke lënë për të kuptuar se kundërshtari e fitoi me të padrejtë ndeshjen. Por veç tij, edhe në “Elbasan Arena” ka një teknik që akuzon. Është radha e Haxhiut, teknikut vlonjat të dibranëve që “thyen dhembet”. Korabi u ndëshkua nga një penallti e paqenë. Megjithatë Salihi e mban Skënderbeun në “zone”. Tri pikë në asnjanëse dhe ruhet distance prej katër pikësh me Kukësin. Kampionët luajnë jo në pritshmëri. Nëse në dy takimet e ardhshme me Laçin (kampionat & kupë), do të sillen po ashtu, atëherë rrezikojnë jo vetëm skualifikimin në çerekfinale, por dhe një thellim të distancës në kampionat. Thjesht një impresion i Lup-Javës. Skënderbeu dhe Daja, apo Skënderbeu dhe realiteti, kanë se çfarë të kërkojnë te vetja. Dje në Vlorë një tjetër ndeshje impulsive. E luajtur në një terren “vaterpoli”. Duket që nuk është vjedhur aty. Fusha është bërë dhe ribërë disa herë… Flamurtari përshtatet dhe fiton duelin e “jugut”, ndërsa përballë pati Luftëtarin simpatik. Veliu me shokë e kishin ndarë mëndjen të bënin pikët maksimale. Dhe ia dolën. Edhe pse në të dytën miqtë nga “rrethina” iu afruan ndjeshëm barazimit. Kampionati në “shina”. Nuk ka kohë për frymëmarrje. Ngjeshje e madhe, si asnjëhere këto edicionet e fundit. Lup-Java, mezi pret takimet e ardhshme. Sigurisht që ajo nuk është e vetmja, sepse të gjithë protagonistët janë me “fryme” të ndalur…! Ndoshta Kupa dhe skuadrat pjesëmarrëse në këtë kompeticion, janë të interesuara për llogari. Sa mirë do ishte sikur Kupa të zhvillohej në…verë!