Ditën e sotme në Pejë të Kosovës është zhvilluar turneu ndërkombëtar i titulluar “Xhudo për Paqe” ku morën pjesë rreth 150 garues nga Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja, Maqedonia, Belgjika si dhe të gjithë klubet kosovare. Vendi ynë është përfaqësuar në këtë aktivitet nga Akademia Judo Albania Kodokan me pjesmarrjen e shtatë sportistëve.
Rezultatet më të mira ndër to i kanë arritur sportistët Lurjan Kaçi dhe Luigj Shkoza që në garat e të rinjve kanë zënë vendet e para në peshat e tyre. Kaçi ka konkurruar në peshën 66 kg dhe ka marrë medaljen e artë ndërsa Shkoza në peshën 73 kg dhe po ashtu edhe ai medaljen e artë. Xhovan Shkoza ndërkohë në garat e pionerëve, në peshën 60 kg ka zënë vend të tretë dhe ka merituar medaljen e bronztë ndërsa Amelio Marku në peshën 66 kg ka zënë vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë. Një figurë të mirë sportive ka bërë edhe sportisti Reoland Vasia në peshën 42 kg për pionerë por pa u futur dot në zoën e medaljeve. Ndërkohë për të rriturit, kanë konkurruar dy fituesit e vendeve të para me të rinjtë, pikërisht Lurjan Kaçi dhe Luigj Shkoza duke zënë përkatësisht vendin e dytë dhe të tretë. Në këtë mënyrë, pjesmarrja e xhudistëve shkodranë edhe në këtë aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar, ka qenë shumë e suksesshme. Medaljet e fituara tregojnë edhe njëherë tjetër se tek kjo Akademi, nën drejtimin e të mirënjohurit Anton Shkoza punohet në një mënyrë shumë cilësore.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)