Flamurtari mori një fitore me vlera të mëdha duke mposhtur Lushnjen me rezultatin 2-0 në Vlorë.
Me këtë sukses kuqezinjtë u konsoliduan në vendin e dytë në kuotën e 35 pikëve pas 20 ndeshjes.
Kuqezinjtë kanë 5 pikë më shumë se Laçi dhe ndihen komodë për momentin në klasifikim. Edhe pse pritej një ndeshje e lehtë, Lushnja ua bëri të vështirë jetën vendasve.
45’ minutat e parë u mbyllën në barazim, por me rastet që nuk munguan, si nga kuqezinjtë ashtu edhe lushnjarët.
Vlonjatët iu afruan golit në minutën e 13’, por Nedeljkoviç e ndal vetëm shtylla pas një gjuajtje nga jashtë zonës.
Një minutë më vonë Lushnja përgjigjet me Cankën, por sulmuesi edhe pse në pozicion të favorshëm nuk arriti të mposhtë portierin Nurkoviç. Vlonjatët iu afruan edhe njëherë golit me anë të Nedeljkoviç, por Spaho largon rrezikun në këndore.
Me të filluar e dyta vendasit rrisin tempin e lojës dhe i afrohen disa herë golit, gjithsesi sulmuesit shpërdorojnë.
Atë që nuk e bëjnë sulmuesit, e bën një mbrojtës. Në minutën e 65’ Bicaj i ardhur nga mbrojtja, kaloi në avantazh Flamurtarin pas një krosi nga Hoxhaj.
Në avantazh kuqezinjtë menaxhojnë rezultatin, me miqtë që provojnë me kundërsulm, por pa sukses. Në fund kuqezinjtë shënuan edhe golin e dytë me anë të sulmuesit Alves (90+1’). /EDS/