Dy ditët e fundit në media por edhe në rrjetet sociale kanë qarkulluar lajme për një interesim të biznesmenit të njohur dhe njëkohësisht zëvendëspresidentit të FSHF-së, z. Lutfi Nuri për Vllazninë.Fillimisht për ta ndihmuar atë në zhvillimin e fazës përgatitore në Turqi gjatë janarit nëse kjo është e domosdoshme për të dhe më pas, nëse fillon procesi i shitjes së klubit shkodran, ai do të ishte i gatshëm për ta blerë atë. Nisur nga këto lajme, një pjesë e mirë e tifozëve shkodranë natyrisht që nuk e marrin seriozisht ngaqë ai njihet si tifoz i zjarrtë i Tiranës.
Të tjerë mezi i presin lajme të tilla dhe natyrisht që këto lajme, kanë “çorientuar” sportdashësit në prag të festave të fundvitit. Në pamje të parë duket si “përralla e babagjyshit” megjithatë tek Vllaznia gjërat nuk janë kaq keq. Kryebashkiakja Ademi një ditë më parë deklaroi se shumë shpejt do të nis procesi i privatizimit të klubit. Sipas saj, deri më tani, katër biznesmenë kanë mbërritur në zyrat e Bashkisë Shkodër dhe janë interesuar për këtë proces. Nuk dihet nëse Lutfi Nuri është njëri prej tyre apo jo por me shumë të ngjarë jo. Në Shkodër në fakt ka kohë që përfliten emra të ndryshëm biznesmenësh, vendas e të huaj, të interesuar për të marrë këtë klub. Valter Fushaj është gjithnjë “pas dere”, janë përmendur edhe emra të tjerë si ato të Safet Gjicit, Julian Morina, Rudi Vata me koreanojugorin Choi apo dhetë tjerë. Tashmë mbetet për t’u parë thjesht nëse këto biznesmenë janë vërtetë për t’u interesuar apo jo. Momenti për të shprehur zyrtarisht interesimin e tyre po vjen. Kuptohet edhe për Lutfi Nurin, është momenti për të thënë njëherë e mirë nëse është i interesuar për të marrë Vllazninë apo jo në mënyrë që fjalët e dalë ditët e fundit të mos mbesin thjesht një “përrallë babagjyshi” në prag të festës së Vitit të Ri.
© shkodrasport.com