Olympique Lyon, në mes të një lufte kundër PSG-së, ka vendosur t’u drejtohet autoriteteve të ligës franceze me një ankesë për aktivizimin e parregullt të Kvaratskhelia-s. Ky veprim është një kundërpërgjigje ndaj ankesës së bërë nga PSG të dielën e kaluar për regjistrimin e Thiago Almada-s, i huazuar nga Botafogo, klub në pronësi të të njëjtit investitor si Lyoni dhe që është i sanksionuar nga DNCG (organi financiar i futbollit francez) për të mos bërë merkato deri në fund të sezonit.

Në një email dërguar Komisionit të Garave të LFP-së të martën e kaluar, John Textor argumentoi se transferimi i Kvaratskhelia-s “bie ndesh me rregulloren e Bashkimit Evropian për subvencionet e huaja”, duke pretenduar se financimi i Paris Saint-Germain është i paligjshëm. Ai gjithashtu shtoi se “homologimi i kontratës së tij dhe regjistrimi si lojtar i ri shkel dispozitat e rregullores administrative të LFP-së”.

Olympique Lyon e mbështet padinë e tij duke u bazuar në nenet 566 dhe 560 të rregullores së LFP-së, të cilat përcaktojnë se në raste të shkeljes së rregullave për regjistrimin dhe/ose aktivizimin e një lojtari, klubi fajtor humbet ndeshjen me penalizim, por ekipi paditës nuk fiton automatikisht pikët e fitores. Ai ruan vetëm golat dhe pikët e grumbulluara gjatë ndeshjes, ndërsa golat e shënuar nga skuadra që ka shkelur rregulloren anulohen. Nëse bëhet fjalë për një ndeshje që kërkon një fitues, atëherë klubi paditës shpallet fituesi i takimit.

Lufta e hapur mes Lyon dhe PSG

Të dielën, pak para përballjes Lyon-PSG, klubi parisien depozitoi të njëjtën ankesë lidhur me regjistrimin e Thiago Almada-s, duke iu bashkuar disa klubeve të tjera franceze që mendojnë se argjentinasi nuk duhej të regjistrohej nga Lyon për shkak të sanksionit që klubi kishte marrë në dhjetor. Konflikti mes Textor dhe Al-Khelaïfi-t, i cili e quajti amerikanin “kauboj” gjatë një mbledhjeje në korrik për të drejtat televizive, është në kulmin e tij dhe pritet të përshkallëzohet edhe më shumë në muajt e ardhshëm.

Megjithatë, në parim, asnjë nga këto ankesa – as ajo e PSG-së dhe as ajo e Lyon-it – nuk pritet të ketë sukses në instancat e LFP-së.