Java e 22-të e Superiores do e gjejë Vllazninë në transfertë. Shkodranët do udhëtojnë drejt Rrogozhinës ditën e dielë. Kjo për tu ndeshur me vendasit e Egnatias në orën 13:00. Një duel mjaft delikat, kundër një skuadre të mirë investuar dhe që po bën një edicion në nivel të mirë siç është ajo e Egnatias.

Vllaznia vjen me humorin e duhur, ku fitoret me Kukësin dhe Tiranën kanë ndryshuar totalisht humorin tek kuqeblutë. Ku shkodranët tashmë janë totalisht në garën për titullin kampion, duke qenë vetëm 3 pikë pas Tiranës kryesuese. Një formë të tillë, ekipi i drejtuar nga Josa do kërkojë ta vijojë këtë formë, duke pasur parasysh edhe ambiciet e mëdha që ka tek shkodranët.

Por realisht Egnatia ka qenë “macja e zezë” këtë sezon për Vllazninë. Rrogozhinasit janë e vetmja skuadër ndaj të cilëve 9 herë kampionët e vendit nuk kanë marrë asnjë pikë këtë sezon.

Kjo pasi në fazën e parë Egnatia fitoi 3-0 në Rrogozhinë e ndërsa përsëriti suksesin edhe në Shkodër. Duke fituar me shifrat 0-1 në “Loro Boriçi” në sfidën e fazës së dytë. Një “tabu” të tillë do kërkojnë me patjetër që ta thyejnë ditën e dielë.

Një duel që patjetër në rast suksesi të Vllaznisë do jepte një sinjal shumë të fortë për titullin kampion. Ku transfertat në Rrogozhinë këtë edicion kanë qenë të “sikletshme” për çdo skuadër të Superiores.
Endri ÇINARI