Java e dytë e Superligës shqiptare ka dhuruar çiftin Vllaznia- Teuta.Një ndeshje që pritet me interes sepse të dy ekipet e kanë nisur mbarë kampionatin duke i fituar ndeshjet e para. Secila palë kuptohet që do të bëjë llogaritë e saj për këtë takim ndërkohë që në kampin durrsak duket se tashmë janë disi më të qartë për mënyrën si luan skuadra shkodrane dhe detaje të tjera të saj.Kjo ngaqë trajneri i saj Gugash Magani, pasditen e së dielës ka qenë i pranishëm në tribunën e stadiumit “Loni Papuçiu” të Fierit për të ndjekur ndeshjen Lushnja- Vllaznia.
Dikush tha që Magani ishte prezent për të parë të birin, Endrin, që luante me ekipin lushnjar por më shumë, trajneri i durrsakëve kishte ardhur bashkë me kolegun e tij Klodian Dervishi për të ndjekur kundërshtarin e ardhshëm. Ai është parë të komunikojë edhe me drejtuesit e klubit shkodran të pranishëm në tribunë ndërkohë që njerëz të cilët kanë qenë ngjitur me të në vendin ku ka qenë i ulur, bëjnë të ditur se trajneri i Teutës ka mbetur i befasuar nga loja e mesfushorëve të Vllaznisë. Për rrjedhojë, ai padyshim që gjënë e parë të cilën do të kërkojë të bëjë të dielën është të bllokojë këtë repart të kuqebluve. Nga ana tjetër, edhe Cungu duhet të marrë masat e veta për të arritur fitoren e dytë në kampionat.
© shkodrasport.com