Laçi bën mrekullinë, duke arritur një kualifikim të merituar ndaj skuadrës qipriote të Anorthosis. Vendos një gol i Myrto Uzunit në minutën e fundit të kohës së rregull.
Fieraku devijoi me kokë një harkim nga e majta, duke i dhuruar skuadrës kurbinase një kualifikim të madh. Hera e dytë në historinë e klubit bardhezi që arrin të kalojë një turn në Europa League. Një arritje e madhe për Laçin dhe futbollin shqiptar që në raundin dytë do të ketë dy skuadra.
Ishte një ndeshje e vështirë, dihej, por Laçi e tregoi që në Qipro që nuk ishte aq inferior sa mendohej. Fitoi një pjesë loje, luajti shumë mirë dhe mbi të gjitha tregoi se ka koncept futbolli.
Sot sërish Anorthosis ishte superior, diçka e pritshme, por Laçi sërish luajti pa frikë, duke mos e humbur asnjëherë toruan. Priti, me qetësi, sepse në radhë të parë nuk duhej pësuar gol, ndërsa Anorthosis mendonte se goli do të vinte herët a vonë.
Erdhi, por në portën e Anorthosis, sepse Uzuni si një fajkua në zonë shënoi me kokë kur po luheshin minutat e fundit. Nuk kishte më kohë, Laçi në delir. /sport-ekspres/