Nëse do shkosh në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” për të parë një ndeshje volejbolli kur luan ekipi i të rejave të Vllaznisë, padyshim që shumë shpejt do të të bjerë në sy një numër- 8-ta.

Jo më kot tashmë kjo sportiste ka filluar të bëhet e preferuar për tifozët por edhe për specialistët e këtij sporti.

Po kush është ajo? Bëhet fjalë për Antoneta Molla, një lojtar shutere që luan në pozicionin katër dhe është një pikë shumë e fortë e ekipit.

Bashkë me lojtaret e tjera të Vllaznisë jo vetëm u shpallën kampione edhe për këtë vit por tre ditë më parë fituan edhe Kupën “Rinia”.

Duke folur në lidhje me këtë aktivitet, Molla do të shprehej:

“Jemi një grup vajzash të talentuara që stërvitemi intensivisht, japim maksimumin në çdo ndeshje dhe ky është çelësi i suksesve tona, gjë që e kemi dëshmuar me fitimin e trofeve prej tre vitesh rradhazi.

Me Teutën kemi patur humbjen e parë dhe të vetme të këtij sezoni dhe me fitoren e pastër ndaj saj në finalen e kupës “Rinia” brenda në Durrës, treguam edhe njëherë tjetër se e kemi merituar titullin kampion.

Në ndeshjen ndaj Teutës tek Vllaznia ka funksionuar Çdo element i saj dhe me frymën e grupit, ia dolëm ta fitojmë edhe këtë finale”.

Ecuria shumë e mirë e këtij ekipi duket se ka ardhur edhe falë marëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë në mes vajzave sportiste dhe trajnerëve të tyre.

Këtë thotë edhe Molla kur shton: “Dyshja e trajnerëve tonë Ana Gjelaj dhe Ferdinand Bardeli janë fantastikë.

Si në aspektin teknik sepse na ndihmojnë me këshilat e tyre edhe në momentet tona më të vështira.

Përpos kësaj, janë shumë të lidhur me ne në çdo aspekt tjetër. Unë gjej rastin t’i falenderoj ato por edhe trajnerët e mëparshëm të të rriturave me të cilët kam punuar”.

Loja e numrit 8 bie në sy dhe kur ia përmend këtë gjë Antonetës, ajo nuk ka dëshirë t’i marrë meritat për vete, por tregohet modeste kur thotë:

“Volejbolli është sport kolektiv dhe nëse loja ime ka dal në pah, kjo është meritë e të gjithë skuadrës”.

Në fund padyshim edhe një objektiv për të ardhmen, për të cilin Molla shprehet: “Të gjithë e dimë se fanella e Vllaznisë peshon dhe ideja ime është të vazhdoj të luaj për të.

Por nëse bëhet fjalë për ndonjë ofertë të mirë dhe serioze të ndonjë skuadre jashtë vendit, do ta marrë në konsideratë.

Shpresoj shumë që sezoni i ri të gjejë një Vllazni ndryshe. Besoj se kanë për t’u bërë shumë ndryshime të cilat shpresoj të rezultojnë pozitive.

Shpresoj që fryma e fituar duke fituar kupa dhe tituj kampion me të rejat, të ndikojë tek të gjitha vajzat në mënyrë që të jetë edhe kur të luajmë me të rriturat në mënyrë që rezultatet edhe me këtë ekip të vijnë duke u përmirësuar”.
© shkodrasport.com