Zhvilloi një europian për tu mbajtur mend dhe tashmë ka marrë vëmendjen e klubeve më të mira në Europë. Fjala është për Mario Mitajn, mbrojtësin e kombëtares shqiptare që ishte ndër më të spikaturit me performancën e tij. 20-vjeçari pjesë e Lokomotivës së Moskës, duket se nuk do rrijë për shumë kohë në Rusi.

Kjo pasi interesi për të është shumë i madh sidomos nga Serie A. Prej disa kohësh dihet interesi që ka shfaqur Juventus për futbollistin shkodran. E ndërsa në ditët e fundit është diskutuar edhe për një interesim të Lazios dhe Fiorentinës. Por “Shkodra Sport” mëson se edhe një skuadër tjetër italiane po interesohet për ish-futbollistin e AEK-ut.

Napoli është ekipi i rradhës që ka dalë në skenë për të siguruar shërbimet e mëngjërashit. Me ekipin jugor që shikon tek Mitaj një investim goxha të rëndësishëm edhe për të ardhmen. Duke parë këtu moshën shumë të re të numrit 3. Nga kjo situatë duket se Lokomotiva po “fërkon” duar. Sepse çmimi i mbrojtësit do rritet nga interesi i madh i klubeve të ndryshme.

Mitaj është pjesë e klubit rus prej 2 sezonesh, ku u transferua nga AEK-u për shumën e 3 milionë eurove. E ndërsa sot, kryeqytetasit moskovitë kërkojnë minimalisht nga 15-20 milionë euro për të liruar lojtarin nga Vermoshi. Duke bërë kështu një “bingo” në merkato me lojtarin që befasoi këdo me paraqitjet e tij në Euro 2024.
Endri ÇINARI