Keidi Bare po bën gati valixhet për transferimin në radhët e skuadrës së Espanjol. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare vazhdon të stërvitet me Malagan, por nuk ka zbritur në fushë me ekipin e tij, pasi nuk është regjistruar ende në këtë sezon nga klubi, i cili nuk do të djegë një nga të paktat vende që i mbeten për lojtarët profesionistë, meqë i ka të limituar si pasojë e probleme financiare.
Probleme të cilat shpreson të zgjidhë më shitjen e Bares, për të cilin ka marrë disa oferta. Në fund, Espanjol duket si skuadra që do të sigurojë mesfushorin shqiptar, i cili do të transferohet në Katalonjë në ditët e ardhshme. Sipas “Mundo Deportivo”, skuadra katalanase pret dritën e gjelbër nga drejtuesit e klubit për të ndërhyrë në merkato e për të blerë futbollistin shqiptarë që shihet si një nga më të talentuarit në mesufshë në La Liga 2.
Gazeta spanjolle ka zbuluar se marreveshja mes klubeve do të mbyllet për një shumë prej rreth 2 milionë eurosh në varësi të klauzolave që do të vendosen në akordin për transferimin e futbollistit. Ndërkohë, Bare do të ketë një rritje të ndjeshme të rrogës në krahasim me aventurën e tij te Malaga. Ai ishte regjistruar si lojtar i ekipit të dytë atje dhe si rrjedhojë, përfitonte minimumin sindakal, 80 mijë euro në sezon, edhe pse ishte ndër më të spikaturit në ekipin e pare. Kurse te Espanjol, rroga e tij të paktën në sezonin e parë në La Liga 2, parashikohet të jetë rreth 500 mijë euro. /vipsport/