Dy futbollistët me të cilët tre ditë më parë u arrit akordi përfundimtar I një marrëveshje njëvjeçare portieri Miroslav Vujadinoviç dhe mbrojtësi Blazhe Rajoviç, dje nuk kanë mbërritur në Shkodër ashtu siç është pritur. Për rrjedhojë, kanë munguar në seancën e pasdites. Madje do të mungojnë edhe sot dhe me shumë mundësi edhe nesër. Nuk bëhet fjalë për asnjë arsye tjetër largimi për tek ndonjë skuadër tjetër a diçka e tillë por thjesht ata kanë kërkuar garanci në ardhjen e tyre në Shkodër për të hedhur menjëherë firmë në kontratë. Por kjo nuk mund të realizohet për momentin. Arsyeja është se njeriu që ka të drejtën e hedhjes së firmës në kontratë tek Vllaznia është administratori Fatos Gjyrezi.
Por ky I fundit, prej pak ditësh ndodhet në Itali dhe do kthehet prej andej mbrëmjen e së mërkurës ose të enjten. Sapo të ndodh kjo, dy futbollistët do vijnë në qytetin verior të Shqipërisë dhe do firmosin me të kontratat njëvjeçare.
Kërkesa e futbollistëve
Në akordin e arritur mesditën e së shtunës me drejtorin sportiv Grima, futbollistët malazez Vujadinoviç e Rajoviç kishin kërkuar edhe garanci financiare. Njeriu kryesor që mbulon anën sportive në klubin shkodran, në emër të Bashkisë Shkodër, institucion që ai përfaqëson dhe që drejton aktualisht klubin, i ka garantuar ato se nuk do të ketë asnjë problem pagesash në sezonin e ardhshëm. Nisur nga një gjë e tillë, dy malazezët e njohur shumë edhe në Shqipëri ngaqë luajnë prej disa sezonesh në kampionatin e këtij vendi, kishin shprehur gatishmërinë e tyre që ditën e djeshme paradreke të ishin në Shkodër. Ata do firmosnin menjëherë kontratat dhe pasdite do viheshin menjëherë në dispozicion të trajnerit Canaj për të zhvilluar seancën e parë stërvitore. Por planet kanë ndryshuar. Mbrëmjen e së dielës, drejtori Grima ka marrë një telefonatë nga Italia prej administratorit Gjyrezi i cili e lajmëronte se për disa arsye personale nuk do vinte ditën e djeshme por pas dy ose tre ditësh. Me të marrë këtë sinjal, ish- portieri i njohur shkodran që tashmë mban një funksion të lartë drejtues në klubin Vllaznia, është lidhur me Vujadinoviç dhe Rajoviç dhe i ka lajmëruar se kontratat nuk mund të firmoseshin paraditen e djeshme ashtu siç kishin rënë dakord. Kjo gjë i ka shtyrë paksa gjërat por për vetëm 2-3 ditë.
Firmat në kontratë
Portieri Vujadinoviç kishte vënë një kusht në momentin kur ka pranuar për të ardhur sërish në Shkodër. Shlyerjen e disa detyrimeve të prapambetura që klubi i ka atij por edhe garanci për pagesë të rregullt çdo muaj për sezonin e ri. Ai e ka marrë premtimin për këtë gjë sepse në fakt Bashkia që administron aktualisht Vllazninë, nuk i ka mbetur borxh asnjë futbollisti. Megjithatë “Vujke” ka kërkuar që të mos dalë në stërvitje pa firmosur zyrtarisht dhe kështu është rënë dakord megjithatë ditën e enjte çdo gjë pritet të marrë fund si për të ashtu edhe për Rajoviç dhe të dy këta futbollistë do vishen zyrtarisht kuqeblu. Gjithçka është Ok, mjafton vetëm kthimi i administratorit Gjyrezi nga Italia për të hedhur firmën e tij në këto kontrata.
Gjergj KOLA
Priten të vijnë në provë edhe dy futbollistë malazezë
Portieri Vujadinoviç dhe mbrojtësi Rajoviç mund të mos jenë futbollistët e vetëm malazezë që do të firmosin këtë javë me Vllazninë. Ata të enjten mund të vijnë nga vendi fqinj edhe me ndonjë koleg të tyrin për të hedhur firmë. Kjo ngaqë shkodranët po insistojnë për të gjetur një sulmues dhe në bisedime aktualisht janë me Markoviç. Burime pranë klubit gjithsesi bëjnë të ditur se këto dy ditë mund të vijnë për provë edhe dy futbollistë të tjerë po nga ky vend. Bëhet fjalë për një mesfushor dhe një sulmues. Nuk saktësohen emrat e tyre megjithatë është fakt se deri më 31 gusht kur do mbyllet merkatoja e verës, tek Vllaznia mund të ketë zhvillime të reja sa I takon ardhjes së futbollistëve. Më së shumti, trajneri Canaj e ka të domosdoshme marrjen e Vujadinoviç dhe të një sulmuesi cilësor. Nëse vijnë edhe Rajoviç dhe një mesfushor, atëherë gjërat do ishin shumë më mirë pastaj.