Këshilli Bashkiak i Malësisë së Madhe ka nderuar dy futbollistët e kombëtares shqiptare Elseid Hysaj dhe Bekim Balaj me titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të këtij Këshilli dhe të gjithë anëtarët e tij kanë dhënë votën unanime për një vlerësim të tillë për dy bashkëqytetarët e tyre të cilët kanë nderuar Malësinë, Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë me kontributin e dhënë për kombëtaren shqiptare në Europianin e Francës. Të dy këta futbollistë e kanë origjinën e tyre nga Reçi i Malësisë së Madhe dhe jo më kot, pikërisht prej kësaj zone ka ardhur edhe nderimi i tyre.

Sipas asaj çfarë mësohet, titulli i mësipërm do t’u jepet të dy futbollistëve me një ceremoni të veçantë që pritet të organizohet në ditët në vijim. Elseid Hysaj tashmë është kthyer në një lider të kombëtares shqiptare dhe këtë e tregoi edhe në tre ndeshjet e Europianit të Francës ku ai ishte vërtetë një lider i ekipit kuqezi pavarësisht moshës së tij të re. Sakaq edhe sulmuesi Bekim Balaj ka dhënë një kontribut për kombëtaren tonë si në ndeshjet eliminatore ashtu edhe në takimin e fundit ndaj Rumanisë, të fituar 1-0 nga Shqipëria. Vlerësimi i bërë nga Bashkia Malësi e Madhe për këta futbollistë sigurisht që do t’i bëjë edhe më të lumtur dy futbollistët kuqezinj sepse në fund të fundit, nderohen nga vendlindja e tyre.

© shkodrasport.com