Në Shkodër rritja e interesit të të rinjve për t’u marrë me sport, ndesh në problemin e mungesës së terreneve sportive. Gjëja e parë që ndikon për këtë gjë është mungesa e tokës për këtë qëllim dhe e dytë, ajo e financimit.
Por në Malësi të Madhe, “e kanë gjetur dermanin” dhe shumë shpejt mund të bëhen me një kompleks të ri sportiv.
Këshilli Bashkiak ka miratuar pak kohë më parë një hapësirë toke për këtë qëllim dhe jo pak por plot 82 mijë metra katrorë. Ajo ndodhet në dalje të Koplikut, menjëherë sapo nis rruga për në Bajzë.
Në të është menduar të ndërtohet stadiumi i ri ku do të luajë Veleçiku, aneksi stërvitor por edhe fusha basketbolli e volejbolli. Pra, gjithçka që duhet për rininë malësore për t’u marrë me sport.
Kryebashkiaku Marinaj e ka pohuar këtë gjë duke thënë se institucioni që ai drejton do të miratojë një fond me të cilin do të nisin punimet ndërsa pjesa tjetër do merret si financim nga Qeveria apo institucione të tjera.
A thu do të vijë dita që edhe Shkodra të ketë një kompleks të ri sportiv, për më tepër që e ka edhe më të nevojshme se Malësia e Madhe?
Mbase edhe për disa duhet pritur derisa dikush të hedhë sytë nga ky qytet ku kanë lindur thuajse të gjithë sportet.
© shkodrasport.com