Real Madrid po kalon një sezon shumë të pazakontë. Pandemia dhe kalendari i ndryshuar, ka bërë që në klub të shtohen dëmtimet, por duke kaluar çdo lloj parashikimi apo mestareje që shihet zakonisht edhe në klube të tjera për të njëjtat arsye. Te Reali po vuajnë një mallkim të mirëfilltë nga i cili vetëm 4 lojtarë kanë shpëtuar pa u prekur, të paktën deri tani.
Vetëm në javën e fundit Reali humbi dy lojtarë. Fillimisht ishte Modriç në ndeshjen ndaj Eibarit, ndërsa me Granadan u ndal Rodrigo, i cili do të mungojë tashmë për 3 muaj pas problemit muskulor që kishte.
Kasemiro, një nga lojtarët më të qëndrueshëm në fushën e lojës, konfirmoi atë që mendojnë të gjithë. “Janë shumë ndeshje dhe pak pushim. Edhe faza përgatitore nuk ka qenë e mirë”, shpjegoi ai problemin kryesor që po vuajnë klubet profesioniste në këtë edicion.
Sipas shifrave zyrtare, vetëm katër lojtarë kanë mbetur pa u dëmtuar këtë edicion mes madrilenëve. Dy janë portierët Kurtua dhe Lunin, ndërsa dy të tjerët janë mbrojtësit Varane dhe Mendi, të cilët rezistojnë edhe pse kanë regjistruar shumë minuta në fushë.
Qendërmbrojtësi ka luajtur 1800 minuta, ndërsa mbrojtësi i krahut ka kaluar 1499 minuta në fushën e lojës. Varane ka pushuar vetëm në një ndeshje, ndërsa për Mendi ka pasur më shumë rotacion, duke pasur edhe Marcelon si alternativë. /vipsport/