Fiorin Durmishaj po provon mbi kurriz atë që mes tifozëve të përfaqësueses kuqezi quhet “mallkimi i shqiptarëve” dhe që ndjek hap pas hapi ata të cilët kanë menduar se mund të bëjnë mirë në ndonjë përfaqësuese tjetër përveç asaj shqiptare.

Sulmuesi refuzoi ftesën kuqezi për të luajtur me Greqinë, një zgjedhje e cila praktikisht duket se i ka shkatërruar karrierën.

Që atëherë, ai jo vetëm që nuk u shfaq më në nivele të larta me Panionios, por edhe me transferimin te Olimpiakos e pastaj huazimin te Vasland Beveren në Belgjikë, ka shkuar gjithçka si mos më keq.

Në klubin belg, ai pritej të ishte një prej emrave që mund të bënin diferencën, por pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme duke mos shënuar në asnjë ndeshje, ky klub i ka dhënë duart.

Vasland Beveren bëri të ditur se kishte mbyllur para kohe me marrëveshje bashkëpunimin e huazimit të lojtarit nga Olimpiakos, duke e lënë futbollistin të kthehet te skuadra greke ku sigurisht do të gjejë pak hapësira pasi klubi e largoi në verë kur e bleu meqë nuk i garantonte dot grumbullimin me ekipin e parë. /vipsport/