Humbja në Durrës ka kthyer me këmbë në tokë ekipin e Vllaznisë, por edhe shqetësimin e rënies nga kategoria.
Nëse deri para kësaj ndeshjeje shkodranët e mendonin disi më të qetë vazhdimin e kampionatit, tashmë gjërat janë vështirësuar sërish.
Teuta me atë fitore dhe nisur edhe nga kalendari që ka, duket se ka më shumë shanse për të mbijetuar në Superligë.
Por, për fatin e mirë të dy këtyre ekipeve, tashmë në valle është edhe Kamza dhe gara sa vjen e bëhet jo vetëm më e bukur, por edhe më e vështirë.
Tifozët dhe specialistët e shumtë në Shkodër tanimë kanë filluar të shfaqin sërish shqetësimin që kanë pasur para pak javësh, atë të rrezikimit të rënies nga kategoria.
Tani në Shkodër po bëhen llogaritë jo vetëm të Vllaznisë, por edhe të dy apo edhe tri skuadrave të tjera që janë në këtë situatë si kuqeblutë.
Pavarësisht kësaj situate, kuqeblutë pa dyshim që gjënë e parë që duhet të bëjnë është marrja e dy fitoreve në ndeshjet e radhës që do të zhvillojnë në Shkodër, ato ndaj Luftëtarit dhe Laçit.
Dy përballje ku nuk duhet që të diskutohet asnjë rezultat tjetër veç fitores.
STËRVITJA – Në kampin shkodran vijon puna për takimin me Luftëtarin. Pikësëpari është analizuar humbja në Durrës.
Trajneri Gjoka mësohet të ketë ngritur para skuadrës shqetësimin e asaj paraqitjeje zhgënjyese në “Niko Dovana”, kur në fakt duhej të ishte krejt ndryshe.
Nga ana e lojtarëve ka pasur justifikime nga më të ndryshmet për atë ndeshje, megjithatë në fund konkluzioni ka qenë se tashmë duhet parë përpara.
Gjë pozitive për sfidën e së shtunës ndaj Luftëtarit është rikthimi në formacion i mbrojtësit Malota, ndërkohë që stafi teknik do të ndërtojë mënyrën e duhur të lojës për ta fituar këtë ndeshje ndaj një kundërshtari që vjen me pretendime në Shkodër, ngaqë është në luftë për një vend në Kupat e Europës./panorama-sport/