Goli i shënuar mbrëmjen e djeshme ndaj Teutës, ka qenë i pari për të me fanellën e Vllaznisë. Ai ka marrë edhe më shumë vlerë sepse “vulosi” fitoren e kuqebluve.
Jo më kot, Renato Malota është gëzuar shumë teksa ka vrapuar për 50 metra për ta ndarë këtë gëzim me stafin teknik dhe shokët e pankinës.
Mbrojtësi shtatëlartë pas ndeshjes është shprehur se këtë gol ia dedikon familjes së tij, jo vetëm se i ka qëndruar pranë por edhe për një fakt tjetër.
Ajo gjithmonë ka qenë tifoze me Vllazninë dhe prandaj edhe mbrëmë ka festuar jo pak. “Kemi punuar për gjatë gjithë kësaj jave dhe kishim një besim në vetvete që këtë takim do ta fitonim.
Ishte një fitore që kishte shumë vlerë për ne. Arsyeja pse festova ashtu ishte se na ishin bërë shumë gjëra bashkë. Një nga arsyet është se ishte një gol që do të na vlente shumë për të arritur tek fitorja.
U kënaqa dhe u gëzova më shumë se ky gol ndihmoi ekipin për të fituar këtë përballje aq të rëndësishme.
Goli shkoi për familjen time. Ajo më ndjek në çdo takim e aq me shumë tani që jam pjesë e Vllaznisë. Ato janë tifozë të Vllaznise, e kanë ndjekur Vllazninë edhe pa qenë unë pjesë e saj.
Ky ishte një tre pikësh me vlerë. Normale ka kthyer në një farë mënyre qetësinë tek ne. Por ka shumë takime përpara dhe duhet të jemi me këmbë në tokë.
Na jep frymëmarrje por kur të sigurojmë mbijetesën atëherë do të jemi të qetë. Kemi dy transferta të vështira.
Por nëse luajmë si në dy përballjet e fundit nuk ka asgjë të pamundur për t’u arritur”- ka deklaruar mbrojtësi me numrin 13 i kuqebluve.
© shkodrasport.com