Ashtu siç premtoi trajneri Lika dy ditë më parë në prononcimin e tij, mbrojtësi Renato Malota i është bashkuar ekipit të Vllaznisë ditën e sotme në stërvitje. Pavarësisht zhurmës së krijuar rreth tij, shtatëlarti lezhjan duket se do të vazhdojë të jetë pjesë e kuqeblu deri në fund të sezonit, për të respektuar kështu kontratën që ka me ta.

Por, sakaq në adresë të tij së fundi mësohet se ka shprehur interes përveç ekipit të Kamzës edhe ai i Skënderbeut. Drejtuesit e klubit Vllaznia e kanë bërë të qartë se lojtari nuk mund të largohet në asnjë mënyrë, por nuk përjashtohet mundësia që në ditët në vazhdim, të ketë sërish zhvillime në këtë drejtim.

E rëndësishme është që Malota ditën e sotme ka qenë në stërvitje me Vllazninë dhe do të vazhdojë të jetë edhe ditët e ardhshme dhe stafi teknik e ka në planet e tij për vazhdimin e sezonit.

Ndërkohë pritet që brenda kësaj jave Vllaznia të zhvillojë një miqësore me një ekip të Superligës, emri i të cilit do të mësohet në ditët në vazhdim.
© shkodrasport.com