Rei Manaj ishte sezonin e shkuar një nga më të vlerësuarit në Ligën e Dytë spanjolle dhe golat e shënuar me Albaseten e bënë sulmuesin shqiptar të kërkohej nga disa klube.

Drejtuesit e Albasetes nuk hezituan të blinin kartonin e tij përfundimisht nga Interi duke shpresuar që sulmuesi i Kombëtares të shpërthente megjithatë, sjellja jashtë fushe është kthyer në problem.

Thyerja e disiplinës dhe më pas një dëmtim e lanë Manajn disa javë jashtë fushe dhe tashmë duket se gjithçka po rinis nga fillimi te Albasete. Zërat e merkatos kanë nisur dhe në një emision spanjoll, është thënë se Manaj mund të lëvizë që në merkaton e janarit.

Sulmuesi shqiptar kërkohet nga Barcelona dhe mund të jetë një përforcim i mirë për skuadrën B, e cila militon në Ligën e Tretë spanjolle.

Drejtuesit katalanas shpresojnë që të krijojnë një grup të mirë te Barcelona B nga ku mund të marrin edhe elementë për të ardhmen dhe natyrisht që një transferim i Manajt atje, do ta ndihmonte të stërvitej me disa nga trajnerët më të mirë.

Katalanasit janë gati të paguajnë deri në 5 milionë euro për të dhe për Albaseten është me leverdi duke qenë se Manaj u ble për 1.7 milionë euro. /VipSport/