Pasi i qetësoi pjesërisht tifozët e PSG-së, duke pranuar “po qëndroj, gjithçka mund të ndryshojë brenda një viti”, e ardhmja e Kylian Mbappe vazhdon të mbetet e panjohur.
Xhevahiri parizien ende nuk e ka rinovuar kontratën dhe në gjurmët e tij është Real Madridi i Florentino Perezit, i gatshëm të çmendet për të garantuar performancën e një prej yjeve më të ndritur në futbollin evropian. Për këtë “kryefjalë” merkatoje në futboll foli edhe trajneri i tripletës sezonale me Manchester City.
Më konkretisht, Pep Guardiola e shprehu mendimin e tij në “Golf Legends Trophy” për fatin e Kylian. Ai kishte një gjë shumë të qartë: Manchester City nuk do t’i bashkohet garës për Mbappe. Nëse bëhet fjalë për një “maskim” apo nëse është ky realiteti, vetëm koha do ta tregojë. Për momentin këto ishin fjalët e trajnerit spanjoll: “Nuk do të përpiqemi për Mbappe, të gjithë e dinë se në çfarë klubi dëshiron të shkojë ai”.
Disa fjalë pati Pep edhe për punën e Xavi Hernandez në stolin e Barcelonës, me të cilën fitoi titullin e La Liga-s, por dështoi shumë herët në Champions League, qysh në fazën e grupeve: “Jepni pak kohë Xavit dhe Barcelonës. Neve na u deshën 8 vite te Manchester City për ta fituar Champions League. Unë jam kampion evropian sepse një sulmues (Lukaku) humbi një goditje të qartë me kokë nga tri metra larg portës”./telesport/