Manchester City ka fituar 2-1 në “Old Trafford”, derbin kundër United, duke u “arratisur” në krye të Premier League me 11 pikë më shumë se “kushërinjtë”, kur janë luajtur 16 javët e para. Dy minuta para fundit të pjesës së parë, City kaloi në avantazh kur gjatë një rrëmuje në zonën e United topi u përplas te Lukaku dhe më pas shkoi te David Silva, që tundi rrjetën me kthesë. Përgjigja e “djajve” erdhi me Marcus Rashford, që mposhti portierin Ederson me një diagonale të saktë, në aksionin e fundit të 45 minutave të para.
Në minutën e dhjetë të pjesës së dytë, City shënoi golin e dytë në të njëjtën mënyrë, sërish gjatë një rrëmuje në zonën e United, Nicolas Otamendi e pa veten të vetëm përballë De Gea, duke lëshuar një goditje të papritshme.
Ky ishte goli i katërt për argjentinasin Otamendi në këtë sezon, më shumë se çdo mbrojtës tjetër në Premier League. Pasi ka fituar 15 dhe barazuar 1 nga 16 ndeshjet e luajtura, Manchester City ka 46 pikë, 11 pikë më shumë se Manchester United dhe 14 pikë më shumë se Chelsea, kampion në fuqi, që u mposht 1-0 nga West Ham, ditën e shtunë.