Tashmë janë 17 fitoret radhazi. Manchester City nuk di më të ndalet dhe vazhdon të vendosë rekorde të njëpasnjëshme në Premier League. Në javën e 19-të skuadra e Pep Guardiola shpartalloi me rezultatin e thellë 4-0 modestët e Bournemouth, me Citiziens që u bënë skuadra parë në ishull që arrin të fitojë 17 ndeshje rresht në historinë e Premier League. Përsa u përket kampionateve të rëndësishme europiane, Manchester City barazoi rekordin e Interit të Mancinit që në sezonin 2006-2007 bëri 17 fitore radhazi ndërsa misioni i City-it tashmë është thyejë edhe rekordin e Bayernit që ka regjistruar 19 fitore rresht.
Në Etihaad Stadium formacioni i Pep Guardiolës hodhi një tjetër hap të sigurtë drejt fitimit të titullit kampion. Në të 27-tën ra edhe rezistenca e Bournemouth me Agueron që kaloi në avantazh vendasit. Në fillimin e pjesës së dytë Sterling dyfishoi shifrat ndërkohë që në çerekorshin e fundit të lojës, Aguero dhe Danilo vulosën rezultatin në 4-0 me Manchester City-in që mbylli në mënyrë perfekte fazën e parë me 55 pikë të grumbulluar dhe me një goleavarazh +48. Ngeci sërish në transfertë Chelsea i Contes që pa Alvaro Moratën të skualifikuar barazoi 0-0 në fushën e Evertonit që me trajnerin Sam Allardyce në stol vazhdon serinë e rezultateve pozitive. I dha fund krizës Newcastle United që mposhti 3-2 në transfertë West Ham, ndërkohë që u rikthye te fitorja Stoke City falë suksesit 3-1 ndaj West Bromwich në shtëpi. Brighton mundi 1-0 Watfordin ndërkohë që u mbyllën me shifrat 1-1 dy takimet e tjera të javës së 19-të Southampton-Huddersfield dhe Sëansea-Crystal Palace.