Manchester United, pas tre barazimesh radhazi, është kthyer te fitorja në javën e 22-të të kampionatit. Skuadra e Jose Mourinho-s ka mundur me rezultatin 2-0 ekipin e Everton në transfertë. Fitorja e miqve ka qenë e merituar dhe mund të kishte qenë më e thellë nëse “Djajtë” do të kishin shfrytëzuar të gjitha rastet që kanë krjuar gjatë 90 minutave. Gjithsesi, kanë qenë vendasit ata që kanë rrezikuar të parët në minutën e 24-t me Niasse, me tentativën e këtij të fundit që është ndalur falë një ndërhyrje të mbrojtjes mike.

United ka shkuar afër golit dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, kur Juan Mata ka provuar të shënojë me një goditje nga 23 metra, që është devijuar nga portieri Pickford.

Katër minuta më vonë ka qenë përsëri spanjolli që ka kërcënuar portën e vendasve, këtë herë me një goditje nga 25 metra, me topin që ka goditur shtyllën e majtë.

Goli që ka zhbllokuar ndeshjen ka ardhur në minutën e 57-të dhe është realizuar nga francezi Anthony Martial, i cili ka mposhtur Pickford me një goditje të bukur nga jashtë zone.

Portieri i Everton ka qenë protagonist në minutën e 64-t duke i mohuar golin Paul Pogba me një pritje të jashtëzakonshme. Nëntë minuta para fundit ka ardhur edhe goli i mrekullueshëm i Lingard që i ka siguruar tri pikët United dhe që kanë kthyer përkohësisht në vendin e dytë të renditjes “Djajtë e Kuq”, ndërsa Everton mbetet në vendin e nëntë./telesport/