Sezoni i ri futbollistik në Shqipëri është në prag dhe të gjithë klubet duken thuajse gati sepse i kanë bërë edhe përforcimet e duhura në merkato, ndonëse ka mbetur edhe ndonjë lëvizje e fundit.

E njëjta situatë edhe te Vllaznia, skuadër e cila tashmë ka marrë formën e duhur dhe është në pritje edhe të një sulmuesi cilësor. Pa të, sipas llogarive të bëra nga faqja e njohur e lëvizjes së futbollistëve “transfermarkt.de”, dy futbollistët më të shtrenjtë të saj në sezonin e ri, janë dy prej blerjeve të bëra prej saj.

Në vend të parë është gjermano- kongolezi Christopher Mangiangu, vlera e të cilit në treg vlerësohet me 325 mijë dollarë. Kuptohet, CV-ja e tij, fakti që ka luajtur me kombëtaret e moshave të Gjermanisë e po ashtu edhe me disa skuadra të tjera me peshë, bën që ai të jetë më i vlerësuari prej tyre.

Në vend të dytë ndërkohë është shqiptari i Maqedonisë së Veriut Demir Imeri. Vlera e mesfushorit me tipare sulmuese konsiderohet të jetë 300 mijë dollarë. I treti në këtë renditje është mesfushori Behar Ramadani vlera e të cilit konsiderohet 275 mijë dollarë. Ky është “podiumi” i tre lojtarëve më të shtrenjtë.

Pas tyre vijnë pastaj Ardit Krymi i vlerësuar me 250 mijë dollarë, e po kaq edhe Aleksandar Isaevski, ndërsa Gurishta vlerësohet me 225 mijë dollarë.
www.shkodrasport.com