Tërbuni i Pukës mori një humbje në shifrat 0-1 kundër Besës në javën e 9-të të Kategorisë së Parë. Kjo ishte humbja e dytë rradhazi për ekipin pukjan që disi zbeh atë formë të mirë të fillimit të kampionatit. P
or duket se në rezultatin përfundimtar të sfidës ka ndikuar edhe arbitrimi. Diçka të tillë e pohon edhe Ardit Mani që ka rolin e video analistit tek veriorët. Duke theksuar këtë fakt, Mani patjetër nuk justifikohet për këtë humbje vetëm me këtë pjesë dhe pret reagimin e skuadrës në ndeshjen e rradhës kundër Lushnjes.
Mani tha: “Ishte ndoshta një humbje që nuk e meritonim dhe nuk e prisnim e sidomos në fushën tonë. Ku dihet specifika e kësaj kategorie ku ndeshjet shtëpiake janë shumë të rëndësishme për të gjitha skuadrat. Por realisht, jo për ta përdorur si justifikim edhe arbitri nuk na e bëri të lehtë aspak.
Nuk kuptoj se si arbitrat më të mirë dhe ata që na përfaqësojnë në Europë në mënyrë të denjë, shfaqin një nivel mediokër në duele të tilla. Gjyqtar kryesor ishte Jorgji dhe të gjithë mund të bëjnë vlerësimin ndaj tij duke shikuar videon e ndeshjes.
Patjetër ne duam reagimin që në ndeshjen e rradhës ku na pret një transfertë e vështirë me Lushnjen. Por ashtu si i humbëm pikët në shtëpi, mund ti rikuperojmë jashtë. Niveli ? Realisht nuk është rritur pavarësisht se ka skuadra si: Dinamo, Flamurtari apo Skënderbeu. Nuk shihet ndonjë cilësi e madhe në fushat e lojës kudo, pavarësisht se konkurrenca patjetër është e fortë”.
Endri ÇINARI