Nëse volejbolli ka nisur dhe po zhvillon ndeshjet gjysmëfinale të plej-ofit, basketbolli ende është në fazën e dytë të kampionatit. Megjithatë, vetëm dy javë nisjes së ndeshjeve më të rëndësishme të kampionatit, për ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë, ka mbërritur një lajm jo I mirë. Njëri nga basketbollistët më të mirë të kësaj skuadre, pikërisht maqedonasi Jovan Markovski, ditën e djeshme ka ndërprerë kontratën me ekipin shkodran. Arsyeja e largimit të tij ka qenë marrja e një ofertë më të mirë nga një skuadër e kampionatit të vendit të tij dhe në kushte të tilla, ai e ka parë të arsyeshme të largohet.


Drejtuesit e Vllaznisë nuk kanë dashur ta pengojnë megjithëse ai ka patur kontratë me ta deri në fund të këtij sezoni. Largimi I numrit 4 të kuqebluve, sigurisht që I ka prishur jo pak plane trajnerit Bledar Gjeçaj. Markovski ka qenë një nga përforcimet më të rëndësishme të Vllaznisë gjatë këtij sezoni dhe bashkë me malazezin Gjokoviç konsideroheshin dy lojtarët më të mirë të skuadrës. Megjithatë paraqitja e shkëlqyer e këtij basketbollisti në ndeshjen e javës së kaluar ndaj klubit Tirana, ku ka qenë I pranishëm për ta ndjekur edhe sekretari I Federatës maqedonase të basketbollit, ka bërë që klubi I vendit të dytë në Maqedoni t’I besojë fjalëve të këtij sekretari dhe ka nxituar t’I ofrojë një kontratë shumë të mirë. Markovski është një lojtar I kombëtares së këtij vendi prandaj dhe ka patur ato vlera. Megjithatë, edhe pa këtë basketbollist, trajneri Gjeçaj do të mundohet që të ndërtojë mënyrën e duhur të lojës për të kërkuar deri në fund titullin kampion këtë sezon ndonëse tashmë gjërat janë vështirësuar disi.
Gjergj KOLA