Espanyol gjendet në zonën e rënies nga La Liga, është një pikë larg zonës së sigurisë, me 15 pikë në 18 ndeshje. Megjithatë, një lojtar që është shfaqur si shkëndijë e ndritshme te kjo skuadër katalanase është Marash Kumbulla.
I lindur në Peschiera del Garda, Itali, Kumbulla u bashkua me akademinë e Hellas Verona në vitin 2008 dhe bëri debutimin e tij profesional më 12 gusht 2018, në një humbje 2-0 si mysafir ndaj Catania në “Coppa Italia”. Pasi bëri vetëm dy paraqitje në sezonin 2018-2019, dukej e pamundur që Kumbulla të shpërthente, pas promovimit të Hellas Verona në Serie A. Në vend të kësaj, ai doli si një nga emrat e parë në listën e trajnerit të ri Ivan Jurić, duke regjistruar 25 paraqitje në elitën e futbollit të Italisë, atë sezon.
“Prej të gjithë trajnerëve me të cilët kam punuar, Jurić ka pasur ndikimin më të madh tek unë si lojtar, – tha Kumbulla në një intervistë ekskluzive për “RG”. – Ai më dha mundësinë e artë e të luajturit në ekipin e parë kur isha vetëm 19 vjeç. Do t’i jem mirënjohës çdo ditë, sepse më ndihmoi, ndryshoi jetën time”.
Për herë të parë në jetën e tij, shqiptari po luante futboll të rregullt mes të rriturve, jo vetëm në nivel klubesh, por edhe në nivel kombëtar. Pavarësisht se ishte rritur në Itali, Kumbulla zgjodhi të luante për kombëtaren e prindërve të tij, Shqipërinë:
“Kam luajtur për Shqipërinë që kur isha 15 vjeç. Kur isha 19 vjeç duhej të zgjidhja mes Shqipërisë dhe Italisë për nivelin e seniorëve. Pavarësisht se Italia donte që unë të luaja për të, nuk kisha dyshime. E gjithë familja ime është nga Shqipëria, ndihem shqiptar dhe doja të luaja për të. Kombëtarja ka arritur shumë vitet e fundit për shkak të mjaft lojtarëve që kishin mundësinë të luanin për Shqipërinë ose një komb tjetër, por zgjodhën me zemër Shqipërinë. Shpresoj që kjo t’i motivojë fëmijët e tjerë emigrantë që të marrin të njëjtin vendim në të ardhmen”.
Pasi u shfaq si një nga zbulimet më të mëdha në Serie A, nuk kaloi shumë kohë që klubet më të mëdha të Europës të fillonin ta ndiqnin, me Lazio, Inter dhe Tottenham Hotspur të interesuar. Megjithatë, ishte Roma ajo që nënshkroi me të, në formë huazimi 2-vjeçar dhe mundësi blerjeje prej 30 milionë euro, ndërsa Mert Cetin, Matteo Cancellieri dhe Aboudramane Diaby u dërguan drejt Hellas Verona, në këmbim.
“Fillimisht nuk po mendoja për çmimin, thjesht doja të luaja futboll, – kujton Kumbulla. – Kisha shumë presion, Roma është një ekip i madh në Itali, tifozët e saj kërkojnë shumë. Megjithatë, e shijova në maksimum kohën time në Romë. Edhe presioni, momentet e këqija më ndihmuan të rritesha”.
Pas kalimit të sezonit të tij të parë në Romë, nën drejtimin e Paulo Fonseca, sezoni i dytë e pa të punonte me një trajner të ri portugez, José Mourinho. Ashtu siç bëri në sezonin e tij të parë në kryeqytet, Kumbulla mori pjesë në 28 ndeshje, përfshirë 8 në ‘Conference League’, kompeticioni i ri i UEFA-së. Roma arriti deri në finalen e Tiranës, ku goli i hershëm i Nicolò Zaniolo i dha fitoren 1-0 ndaj Feyenoord, duke siguruar trofeun e parë për klubin pas 14 vitesh dhe trofeun e parë europian pas 31 vitesh.
Fatkeqësisht, sezoni 2022-2023 u tregua periudha më e vështirë në karrierën e tij. Kumbulla regjistroi vetëm 12 paraqitje për Romën, derisa më 29 prill dëmtoi rëndë ligamentin krucial të gjurit në ndeshjen kundër Milanit: “Është e vështirë larg fushave. Kur luan futboll rregullisht dhe stërvitesh çdo ditë, ndihesh shumë mirë, është e vështirë ta ndalosh këtë për tetë muaj. Edhe pas tetë muajve, trupi yt nuk i bën dot ato gjëra që bënte para lëndimit. Duhet më shumë kohë për t’u rikthyer në 100%. Isha i sigurt se do të kthehesha në formën time më të mirë, por pyetja ishte kur”.
Një fillim i ri i dëshpëruar për një mundësi të re, teksa u huazua te Sassuolo në janar 2024, ku luajti vetëm 7 ndeshje. Ishte e qartë se Kumbulla kishte nevojë të largohej nga Roma për t’u rikthyer në formën e tij më të mirë. Disa klube italiane si Parma, Empoli dhe Cagliari kërkuan nënshkrimin e tij, por shqiptari zgjodhi të shkonte në Spanjë, duke u bashkuar me Espanyol në formë huazimi për një sezon:
“Kishte shumë klube të tjera të interesuara për të nënshkruar me mua, por pas bisedave me trajnerin dhe drejtorin e klubit, menjëherë desha të shkoja tek Espanyol. Ata nuk më premtuan se do të luaja çdo ndeshje, por më bënë të ndihem shumë i sigurt me mënyrën se si më folën. Në fillim isha pak i frikësuar, sepse kjo ishte hera ime e parë jashtë Italisë. Megjithatë, pas një jave, dukej sikur kisha qenë aty për muaj”.
Në vend që të kalonte një periudhë gradualisht përshtatjeje, Kumbulla mori menjëherë mundësinë të tregonte veten në mbrojtje. Debutoi në futbollin spanjoll në ndeshjen e tij të parë të mundshme, duke luajtur me kohë të plotë në humbjen 1-0 ndaj Real Sociedad. Pastaj luajti 65 minuta në barazimin 0-0 ndaj Atlético Madridit dhe 90 minuta në fitoren 2-1 ndaj Rayo Vallecano.
Kaq ishte mjaftueshëm për të tërhequr vëmendjen e trajnerit të Shqipërisë, Sylvinho, i cili e thirri për ndeshjet e Ligës së Kombeve në shtator. Pasi nuk u përdor fare në secilën nga tri ndeshjet e Shqipërisë në “Euro 2024”, Kumbulla luajti çdo minutë të dy ndeshjeve të shtatorit, në fitoren 2-1 ndaj Ukrainës dhe humbjen 1-0 ndaj Gjeorgjisë, para se të regjistronte ndeshjen e tij të 22-të si kuqezi në humbjen 2-0 ndaj Çekisë, në tetor:
“Unë e shijoj futbollin çdo ditë e më shumë, shkoj në stërvitje me një buzëqeshje në fytyrë. Ndihem i lumtur me shokët e mi të ekipit, thjesht qesh dhe e shijoj çdo gjë më shumë. Kam luajtur gjithmonë për Shqipërinë para lëndimit të ACL, por pas tij, trajneri nuk kishte mundësi tjetër përveçse të luante me të tjerë në pozitën time. Duhej të kthehesha në formën më të mirë, kështu që ishte shumë e rëndësishme për mua t’i luaja ato tri ndeshje në Ligën e Kombeve. Jam shumë i lumtur që po luaj me Shqipërinë përsëri”.
Kumbulla u kthye nga kualifikueset e shtatorit dhe nuk humbi asnjë hap, duke shkëlqyer në mbrojtje, teksa Espanyol mundi Alavés 3-2 falë një triplete të Javi Puado. Megjithatë, të tijtë u mposhtën në ndeshjen tjetër, 4-1 ndaj Real Madridit: “Kylian Mbappé dhe Vinícius Júnior janë lojtarët më të vështirë, kundër të cilëve kam luajtur në karrierën time. Kur luan kundër tyre në jetën reale, e kupton pse janë kaq të mirë. Ata janë në një nivel tjetër. Ishte e pabesueshme të luaja në ‘Santiago Bernabéu’, stadiumi më i mirë ku kam luajtur”.
Që kur u bashkua me Espanyol, shqiptari ka pasur ndikim në të dyja anët e fushës, duke hapur rezultatin në fitoren 2-1 ndaj Mallorca më 5 tetor dhe duke u bërë një nga lojtarët më të pakalaueshëm të katalanasve. Pas vetëm 7 paraqitjeve në sezonin 2023-2024, Kumbulla ka luajtur tashmë 17 ndeshje për Espanyol, këtë sezon.
Nga këto 17 paraqitje, 16 kanë qenë si titullar, ndërsa 13 prej tyre e kanë parë atë të luajë 90 minuta të plota: “Tek Espanyol kam gjetur një atmosferë ku duhet të mendoj vetëm për atë që ndodh në fushë, mund të përqendrohem në çdo detaj. Pas një viti e gjysmë rikuperimi nga lëndimi, isha pak i dyshuar, por tani e shoh veten përsëri si futbollist”.