Marash Kumbulla është shumë pranë largimit nga Roma. Mbrojtësi u rikthye në kryeqytetin italian, pas një gjysmë sezoni në formë huazimi te Sassuolo.

Megjithatë, ai nuk do të qëndrojë në Romë edhe për shumë gjatë, pasi Daniele De Rossi nuk e ka në planet e tij për sezonin e ri. Ofertat për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare nuk mungojnë, teksa emri i ri i dalë në skenë është Parma.

Ekipi i sapongjitur në Seria A po përforcon ekipin për të qenë rival i denjë. Drejtuesit e klubit emilian e shohin Kumbullën si të duhurin për të rritur kualitetin e repartit difensiv, teksa pritet që të nisin dhe bisedimet mes palëve.

Në krahun tjetër, 24 vjeçari me origjinë nga Shkodra vështirë ta refuzojë këtë ofertë, për shkak minutash, por edhe pse trajner i Parmës është Fabbio Pecchia.

Me këtë të fundit, Kumbulla ka punuar në kohën kur ishte pjesë e Hellas Verona dhe do të ishte një pikë kyçe në këtë transferim. Pritet të shihet si do të shkojnë bisedimet dhe nëse ky operacion do të mbyllet me sukses.