Marash Kumbulla po kthehet në një lojtar të rëndësishëm te Roma. Mbrojtësi shqiptar është përshtatur menjëherë me skuadrën verdhekuqe. Në prag të sfidës me Beneventon ditën e diel, 20-vjeçari foli për “Sky Sport” rreth klimës në kampin kryeqytetas dhe shokët e skuadrës.

Ai shtoi se markimi i sulmuesit veteran Edin Xheko e ndihmon të mësojë shumë.

“Klima në skuadër – Ka shumë harmoni këtu. Na pëlqen të qeshim dhe të bëjmë shaka, por jemi gjithmonë të përqëndruar te puna. Kemi një grup të lidhur fort dhe frymën e duhur kolektive. Pronarët Fredkin? Ata qëndrojnë vazhdimisht këtu. I shikojmë thuajse çdo ditë. Më kanë lënë një përshtypje shumë të mirë.

Objektivat – Synimi jonë është të japin gjithmonë më të mirën në fushë, nuk duhet ta kufizojmë veten. Të bëjmë maksimumin dhe pastaj të shikojmë se ku do të shkojmë.

Edin Xheko – Është e vështirë ta markosh atë, por duke u stërvitur me të të ndihmon të përmirësohesh shumë. Ai gjithmonë stërvitet maksimalisht dhe është një shembull për të gjithë ne. Ai është kapiteni ynë. Jam i sigurtë që ai do të bëjë mirë në ndeshjet e ardhshme.

Pedro dhe Smolling – Ata të dy na japin shumë motivim. Kanë një përvojë të jashtëzakonshme. Jam i bindur se do të bëjmë mirë duke ndjekur ata”, u shpreh futbollisti i Romës dhe Shqipërisë Marash Kumbulla.