Për Marash Kumbullën ishte një ndeshje speciale ajo e djeshmja ndaj Juventus duke qenë se debutoi me fanellën e Romës pikërisht ndaj kampionëve të Italisë.

Impenjimi në fushë ishte i madh teksa përballë kishte emra si Ronaldo e Morata, megjithatë mbrojtësi i kombëtares ia doli me sukses ndërsa pati edhe ai meritë në ndaljen e bardhezinjve, me ndeshjen që përfundoi në barazim 2-2.

Pas sfidës, Kumbulla nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale ka treguar të gjithë lumturinë e tij për debutimin, ndërsa thekson se ekipi dhe i tij meritonte pikët e plota.

“I lumtur për debutimin dhe krenar për paraqitjen e skuadrës. Meritonim tre pikët”, ishin fjalët e Kumbullës.

Vlen për t’u nënvizuar se 20-vjeçari ka marrë shumë vlerësime pozitive për paraqitjen e tij të parë me fanellën verdhekuqe. /VipSport/