Marash Kumbulla u transferua në merkaton e kësaj vere tek Espanjoli, teksa paraqitjet e tij në ndeshjet e para janë mjaft pozitive. Në postimin e fundit të bërë në rrjetet sociale, mbrojtësi i kombëtares shqiptare shkruan se është përshtatur shpejt me skuadrën e re.
“Edhe pse kam vetëm pak kohë që jam këtu, më keni bërë të ndihem si në shtëpi. Forca Espanjol”, ka shkruar Kumbulla. 24-vjeçari shqiptar deri më tani, ka luajtur 3 ndeshje në Spanjë.
Mbrojtësi i Shqipërisë, regjistroi ndeshjen e tretë radhazi si titullar në La Liga. Kumbulla e nisi nga minuta e parë sfidën ndaj Rajo Vajekanos, ku Espanjoli fitoi me rezultatin 2-1.
24-vjeçari kuqezi, tregoi një paraqitje shumë të mirë, duke qenë nga më të spikaturit në fushë. Në vlerësimet e dhëna pas ndeshjes, Kumbulla, ishte lojtari me notën më të lartë në mbrojtje.
Shqiptari luajti gjatë gjithë takimit, ndërsa u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Madje në minutën e 73, iu afrua edhe golit pas një goditje këndi, por nuk e devijoi dot topin në rrjetë.