Dy ditë më parë ekipi i Vllaznisë në atletikë ka fituar edhe një tjetër trofe, atë të Kupës së Shqipërisë për të rriturit.
Ky ka qenë suksesi i rradhës për shkodranët të cilët në dy javët e fundit ishin shpallur kampion edhe me 16 dhe 18 vjeçarët.
Kryetrajneri i ekipit të Vllaznisë Albert Marashi në një prononcim për “Shkodra Sport” ka vlerësuar ecurinë e sportistëve të këtij ekipi jo vetëm në aspektin e fitimit të trofeve por edhe atë të rritjes së rezultateve sportive.
“Ndonëse me disa mungesa të rëndësishme në garat e Kupës së Shqipërisë siç ishin ato të Izmir Smajlajt, Ergys Gjeçajt, Ardit Rashit, Suad Bashkut e të ndonjë tjetri, Vllaznia e dominoi këtë aktivitet duke u shpallur fituese e kupës.
Një meritë shumë e madhe e të gjithë sportistëve të saj por edhe e trajnerëve që punojnë me plot pasion.
Dua të përmend rezultatin e atletit Franko Burraj i cili në garën e 400 metrave ka arritur një rezultat shumë të mirë,
47’89 duke qenë vetëm një sekond larg rekordit kombëtar që mbahet prej vitit 1996 nga i madhi Ilir Xhani.
Me ecurinë që ka Burraj jam i bindur se shumë shpejt do arrijë ta thyejë këtë rekord. Ky është treguesi më i mirë se tek Vllaznia nuk punohet vetëm për fitimin e trofeve por edhe për rritjen e rezultateve sportive.
Me punën që bëhet, garantoj se të paktën edhe për pesë vitet e ardhshme, Vllaznia do të jetë kampione e padiskutueshme e vendit në këtë sport”- është shprehur Marashi.
© shkodrasport.com