Në Shkodër janë të shumtë lojtarët të cilët “shpërthejnë” në çdo sport dhe më pas ata japin kontributin e tyre në sporte të ndryshme. Sot do të flasim për një futbollist të së ardhmes. Bëhet fjalë për Marçelino Prekën.

I datëlindjes 2 gusht 2004, ai po spikat me paraqitjet e tij në rradhët e ekipit “Shkodra” pjesë e të cilit është, por edhe e kombëtares U17. Edhe në ndeshjet e para pak ditëve eliminatore, mbrojtësi shkodran ka qenë në fushë si titullar në të tre ndeshjet e luajtura nga ekipi i drejtuar nga Mustedanagiç.

Këto paraqitje të mira të tij, kanë bërë që menaxherë dhe ekipe të ndryshme të hedhin sytë drejt tij. Vetëm pak kohë më parë ka qenë në provë tek Genoa në Itali. Kjo do të thotë se e ardhmja mund të flasë për të.

Siguria që ofron në qendër të mbrojtjes, shtatëlartësia e tij dhe shumë elemente të tjera që ai posedon, e bëjnë një futbollist me të dhëna dhe kjo është shumë pozitive.

Por ajo që të bën përshtypje tek Marçelino Preka është padyshim “tradhëtia” që ai i ka bërë familjes së tij. Themi “tradhëtia” sepse në fakt Marçelino vjen nga një familje sportive, por çka është më interesantja, asnjë pjestar tjetër i saj nuk është marrë me futboll.

Ai është nipi i të mirënjohurit të mundjes- Dedë Bregu. është djali i Mira Bregu (Preka) që është marrë me volejboll. Po ashtu, është nipi i kampiones dhe rekordmenes së atletikës- Vera Bregu.

Sikur të mos mjaftonin këto, edhe i vëllai- Klaudio Preka, luan volejboll me të rriturit e Vllaznisë. Megjithatë, nëse deri më sot Marçelinoja është krenuar me të gjithë arritjet e këtyre familjarëve të tij, nuk është çudi që nëse pas pak vitesh, e gjithë familja Preka dhe Bregu të krenohet me futbollistin e tyre.
© shkodrasport.com