Në një intervistë për “La Repubblica”, ish-trajneri i Italisë, Marcello Lippi, foli për marrëdhënien e tij me futbollin aktual: “E fik televizorin vetëm nëse njëra prej skuadrave nuk mund të arrihet më.
Trajnerët më duken më të përgatitur sesa në brezin tim, gjithashtu ka më shumë ekuilibër kompetitiv. Tashmë janë zhdukur skuadrat që ishin thjesht ‘viktima’. Titulli i Serie A? Nuk do të çuditesha nëse edhe Juventusi do të rikthehej në garë”.
Një mendim edhe për të kaluarën dhe lojtarët që ka drejtuar te Juventusi: “Kam stërvitur shumë lojtarë, mjaft prej tyre të mëdhenj. Më i miri? Mmmm, si ta them? Nëse them Del Piero, nuk mund të mos mendoj për Zidane. Nëse them Zidane, nuk mund të mos mendoj për Del Piero…
Dhe pastaj Vialli, që më mungon shumë. Ishte bujar, ironik, inteligjent, një futbollist i jashtëzakonshëm dhe shakaxhi i madh. Po ashtu Conte, që ishte pika ime e referimit. Më vijnë ndërmend tani Pirlo, Nedved, Totti, Gattuso, Buffon… Dhe sigurisht Roberto Baggio, një nga më të mëdhenjtë në histori”.
A është e vërtetë që ju dhe Baggio nuk shkonit mirë bashkë?
Janë thurur shumë legjenda për këtë çështje, por është një budallallëk.
Po më të mirët, që nuk i ke trajnuar kurrë?
Maradona, Messi dhe Van Basten, do të thoja. Edhe pse më madhështori, të cilin e kam parë vetëm në televizor, ishte Pelé.
Si e kujtoni Kupën e Botës 2006?
Shpresoj që këto gjenerata të reja të shohin ndonjë ndeshje të Botërorit tonë në YouTube herë pas here. Të bërit kaq shumë njerëz të lumtur është kënaqësia më e madhe e karrierës sime. Të drejtosh kombëtaren e Italisë është si të jesh president i republikës, je i të gjithëve. E di që italianët nuk do të na harrojnë kurrë. Nostalgji për fushat e blerta? Kam 5 vite që kam ndaluar dhe sinqerisht, stoli nuk më mungon”.