Ish-trajneri legjendar i Juventusit, Interit dhe Napolit, si dhe kampion bote me Italinë më 2006, Marcello Lippi, foli për “Gazzetta dello Sport”, duke analizuar momentin e Interit, Juventusit, Napolit dhe Milanit.

Për sezonin e Thiago Motta: “Prisja më shumë nga ana karakteriale. Po bën punën e tij, është një trajner i mirë, por pankina e Juves ka më shumë peshë. Nëse je i aftë, suksesi vjen”.

A do të jetë një duel mes Interit dhe Napolit për titullin: “Nuk e prisja një duel të tillë. Interi dhe Napoli ishin favoritët e mi, bashkë me Juven, por Interi është më i fortë. Zikaltrit kanë një potencial që ende nuk është shfaqur plotësisht. Për mua, Interi mund të fitojë Champions League. Mund t’i mundë të gjithë. Napoli ka bërë mirë që ka qëndruar në nivele të larta, por mos harroni edhe Atalantën”.

A mund ta dëmtojnë Interin angazhimet në shumë kompeticione: “Jo, përkundrazi. Kampionati, Championsi, Kupa e Italisë, një kalendar i ngjeshur është avantazh ndaj Napolit. Lojtarët e mi dikur nuk donin të mungonin as në miqësore. Garat të mbajnë të motivuar, nuk ka lodhje kur je gjithmonë në lojë për diçka”.

A është Milani, zhgënjimi më i madh: “Është e vështirë të interpretohet sezoni i kuqezinjve. Ndryshimet e trajnerëve, vështirësitë…, ka sezone të tilla. Unë mendoj se suksesi ose kriza nuk varen nga fakti nëse luan me tre ose katër sulmues në të njëjtën kohë”.(telesport)