Marçelo Lipi nuk mendon se Nap oli dhe Interi janë në krizë. Përkundrazi, ish-trajneri kampion bote me Italinë mendon se zikaltrit mund të fitojnë Ligën e Kampionëve dhe janë një ekip i barabartë me shumë të tjerë.
Ai ka analizuar për “Gazzetta Dello Sport” duelin e së shtunës dhe thotë se Inzagi ka skuadër më të fortë sesa ajo e Kontes dhe për më tepër ende nuk e ka shprehur potencialin në këtë sezon. Lipi flet për Alegrin, Spaletin, Ançelotin dhe Zidanin si një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Thotë se dueli Napoli-Inter do të luhet mes Çalhanoglusë dhe Lobotkës, por ata të dy as që i afrohen Andrea Pirlos.
Keni thënë që prisnit diçka më shumë nga Mota?
Në planin e karakterit sigurisht që po. Por nuk është një kritikë absolute. Mota është duke e bërë punën e tij dhe është një trajner shumë i mirë. Por pankina e Juventusit është si fanella, peshon më shumë. Nëse je i zoti sukseset do të vijnë. Është vetëm 5 pikë nga vendi i tretë dhe nuk do të befasohesha nëse do të luajë për diçka më shumë sesa Champions-i.
Por titulli me shumë mundësi do të luhet mes Interit dhe Napolit…
Nuk e prisja që të ishin kokë më kokë. Në fillim të kampionatit i shihja si ekipet favorite, por sinqerisht Interi është më i fortë. Ka një potencial që duket sikur nuk e ka shfaqur ende. Napoli është treguar i zoti për të qëndruar në krye. Dhe të mos harrojmë Atalantën.
Konte apo Inzagi?
Konte ka qenë nxënësi im dhe ishte gjithmonë një pikë referimi për shokët e skuadrës. Inzagin e njoh më pak, por është duke bërë një punë të jashtëzakonshme dhe po rritet.
Konte nuk po fiton prej 4 ndeshjesh, Inzagi po vuan në kampionat. Disa e quajnë krizë. Po ju?
Nuk më duket krizë që të mos fitosh 3-4 ndeshjes. Si mund të jenë në krizë skuadra e parë dhe e dytë e kampionatit. Madje për mua Interi mund të fitojë Champions-in. Mund t’i mundë të gjitha ekipet në Europë. Ka shumë ekuilibër dhe potencë. Në fillim Fejnordi dhe pastaj një skuadër gjermane. Duhet ta shohim ndeshje pas ndeshje. Konte e ka ngritur Napolin në nivelin e Spaletit, por nuk është magji. Është kualiteti. Një trajner i zoti që e di ku ka nevojë skuadra dhe ndërhyn.
Një e dhënë: Interi duhet të luajë më shumë ndeshje. Rrezikon që të jetë i lodhur në fund?
Kampionat, Champions, Kupë. Të kesh një kalendar të plotë është një avantazh në krahasim me Napolin.
Më fal, çfarë thatë?
Lojtarët e mi nuk donin të qëndronin jashtë as në stërvitje. Turnetë janë kompeticione, mundësi dhe shanse për të fituar, motivim. Je gjithmonë i karikuar dhe nuk lodhesh. Sigurisht që në fund diçka duhet ta fitosh, në të kundërt…
Cilat janë duelet më të rëndësishme në fushë të shtunën?
Lobotka knudër Çalhanoglusë. Napoli dhe Interi xhirojnë rreth tyre. Interi ka vuajtur shumë me dëmtimin e Çalhanoglusë. Janë dy organizatorë që i ngjasojnë Pirlos për interpretimin e rolit, por Pirlo ishte një tjetër kategori. Vetëm Modriç mund të krahasohet me atë.
Kur “zihen” 2 mund të përfitojë i treti. Cili është sekreti i Gasperinit?
Është një histori speciale. Ka nëntë vite në të njëjtin klub dhe mekanizmat e tij janë perfeksionuar. Atalanta bën presing, është agresive dhe në sulm të vazhdueshëm. Mund të fitojë diçka të rëndësishme. Është normale që edhe Gasperini të dojë të ndryshojë. Shumë skuadra janë të interesuara për të.
Thuhet që edhe Konte me Inzagin mund të largohen pavarësisht nëse fitojnë.
Në kohën time mjaftonte një vend i dytë për të folur për dështim. Sigurisht që një sukses ndryshon shumë gjëra. Nëse fiton, ke dëshirë që të provohesh në ndonjë vend tjetër dhe që të kujtohesh vetëm për fitoret. Por Inzagi dhe Konte nuk kanë 9 vite me Interin dhe Napolin.
Zhgënjimi i madh i këtij sezoni duket Milani.
Shumë e vështirë që të interpretosh kampionatin e tyre. Ndryshimi i trajnerit dhe vështirësitë e tjera. Por unë mund të them që suksesi dhe kriza nuk varen nga numri i sulmuesve që hedh në fushën e lojës.
Surpriza e bukur është Ranieri.
Më befason ai njeri. Është 73 vjeç në mos gaboj dhe unë 76. Ka një pasion ekstrem që e shtyn të bëjë këtë punë. Ai u tërhoq, por Roma i riktheu entuziazmin dhe ai është futur brenda skuadrës. Nëse e lexon këtë intervistë dua t’i bëj komplimentet e mia.
Një tjetër befasi është Komo.
Çfarë spektakli dhe çfarë skuadre. Spektakolare, agresive dhe dominuese. Në fillim kanë vuajtur pak të qenit në Serinë A, por Fabregas ka lindur trajner.
Në kohën tuaj Juventusi i gjente skuadra e vogla si mur në mbrojtje, ndërsa sot të voglat luajnë si të barabarta me të mëdhatë.
Kanë ndryshuar shumë skuadrat dhe futbolli dhe jo vetëm prej Guardiolës. Trajnerët e rinj vijnë nga skuadra të mëdha dhe janë mësuar me futbollin e madh. Kanë njohuri dhe kërkojnë kualitet, organizim dhe shpirt sulmues.
Ku e shihni më mirë Niko Pazin në 3-5-2 e Inzagit apo në 4-3-3 të Kontes?
Një trajner i madh duhet t’ia gjejë patjetër një rol një lojtar si Niko Paz. Ashtu siç unë i gjeja gjithmonë një vend për Zidanin. Nuk ka më lojtar si ai. Pas Mesit dhe Ronaldos janë Haland, Vinicius, Bellingam, por askush nuk krahasohet. Sigurisht që Haland është sulmuesi pa të cilin futbolli nuk bën dot.
Alegri nuk ka një skuadër dhe është pushim…
Kam thënë gjithmonë që ai është trajneri që më ngjason më shumë dhe shpresoj që ta marrë si kompliment. Mund të ndodhë të qëndrojë një vit pushim.
Kush është më i miri në botë?
Gjithmonë Ançeloti, më i miri i 20 viteve të fundit. Kombinon në mënyrë perfekte eksperiencën dhe kualitetin psikologjik të të njohurit të futbollit.
Si e sheh Spaletin?
Është trajneri ideal për kombëtaren. Ka eksperiencë, njohje dhe elasticitet. Kemi folur shpesh për faktin që e shohim futbollin njëlloj. Më pëlqen ideja e tij e futbollit total. Barela është lojtari që më pëlqen më shumë, por mes Bastonit, Kalafiorit, Tonalit dhe Retegit një prej tyre do të bëhet kampion shumë shpejt. Italia ime kishte shumë ekuilibër mes të dyja fazave. Dinte të sulmonte dhe të mbronte me kualitet. Dhe pa harruar që në stol kisha Del Pieron.
Sa vlen moduli në lojë?
Kur punoja kisha një qasje për 3-5-2 ose 4-3-3, por nuk ishte më e rëndësishme. Vlen më shumë dëshira për të qenë në dispozicion. Nëse lojtarët janë të vendosur keq në fushë është e vështirë që të japin më të mirën dhe e kundërta.