Marco Tardelli, kampion i botës me kombëtaren italiane në vitin 1982, ka folur në gazetën “La Stampa” për ardhjen e Igor Tudor te Juventusi, me trajnerin kroat që u prezantua të enjten në stolin e bardhezinjve. Tardelli e pa kroatin në konferencën e tij të parë për shtyp kështu:
“M’u duk i vendosur për ta luajtur mundësinë e vazhdimit te Juventusi edhe për sezonin tjetër, duke shfrytëzuar gjithçka të Vlahovic dhe Yildiz, dy lojtarë të braktisur nga Thiago Motta. Si trajner e shoh Tudor të qetë dhe të vendosur, në kërkim të qasjes së duhur për të fituar dhe rindërtuar një dhomë zhveshjeje në vështirësi të mëdha, në një situatë të papritur dhe që ka zgjatur shumë.
Duke pasur një të kaluar të madhe te Juventusi, ktoati e njeh mirë ambientin bardhezi. Igor ka qenë atje si lojtar dhe ndihmës trajner, e di çfarë kërkojnë tifozët nga skuadra dhe nga klubi”.
Më pas vjen një vërejtje e tij për klubin: “Për shumë kohë ka qenë i verbër dhe pak i interesuar për atë që ndodhte në ekip. Ishte kaq e dukshme se vullkani do të shpërthente, atëherë pse nuk u përpoqën ta ndalonin gjithçka?
Pyes veten pse Giuntoli, ish-lojtar, pra një njeri i dhomës së zhveshjes, nuk e perceptoi menjëherë atë që po ndodhte, duke pasur parasysh se në raste të tjera e ka bërë edhe në mënyrë të çrregullt”.