“Dua që Chelsea im të arrijë sa më shpejt të jetë e mundur në nivelin e Manchester Cityt“, ngulmon Enzo Maresca.

Trajneri italian është ambicioz dhe kërkon t’u japë fund oshilacioneve dhe kaosit te “Blutë e Londrës”.

Që pavarësisht investimeve pafund në merkato gjatë viteve të fundit nuk kanë arritur të shfaqen konkurrues dhe fitues si më parë.

“Çdo trajner ka nevojë për kohë për të përshtatur idetë e tij tek ekipi”, thekson ish-mesfushori, i cili ka punuar edhe si ndihmës i Pep Guardiolës.

Dhe pikërisht teknikun katalanas të Citizens e ka si frymëzim, shembull suksesi dhe modelin që kërkon të ndjekë.

“Të gjithë po shohin me kuriozitet qarkullimin tonë të topit dhe ndërtimin e lojës nga pas.

Kam parë shumë ndeshje të Chelseat gjatë sezonit të kaluar. Dhe asnjëherë nuk vura re ekipin të bënte presing lart…

Të gjithë prisnin në gjysmëfushën e tyre dhe lejonin kundërshtarët të organizoheshin.

Tani është ndryshe, ne kemi vendosur të markojmë një kundër një, sepse duam të jemi agresivë.

Ky është një ndryshim i madh, por jemi në rrugën e duhur. Po punojmë shumë mirë.

City dhe Arsenali kanë dominuar në Premier League për faktin që Guardiola (8) dhe Arteta (5) kanë nga shumë vite në skuadër“, thekson Maresca.