Mario Manxhukiç është një lojtar unik në llojin e tij. Sulmuesi i Kroacisë vlerësohet shumë për shpirtin e sakrificës në fushën e lojës, duke dhënë gjithçka deri në minutën e fundit e duke u treguar shpesh vendimtar në lojën e skuadrës së tij.

Por Manxhikuç është unik edhe me gjestet që bën jashtë fushës së lojës. Sulmuesi i Kroacisë, pak kohë më parë dhuroi një shifër të rëndësishme për departamentin e zjarrfikësve në Dalmaci, pasi në zonën rreth Splitit kishin rënë shumë zjarre dhe ata po kalonin ditë e natë mes emergjencave të ndryshme.

Këtë radhë, ai ka bërë një donacion tjetër, duke qerasur me birra të gjithë ata që kishin vendosur të ndiqnin ndeshjen mes Kroacisë dhe Rusisë në një nga lokalet më të njohura të qytetit të tij të lindjes, Slavonski Brod.

Sipas mediave lokale, Manxhukiç ka paguar birrat për të gjithë qytetarët në vendlindjen e tij që dëshironin të ndiqnin takimin i cili siguroi kualifikimin historik, në këtë lokal të njohur, duke shpenzuar 25 mijë kuna (rreth 3350 euro).

Sigurisht, mund të argumentohet se nuk është një shifër e lartë për një lojtar i cili është pjesë e Juventusit. Pa na argumentoni pak, cili futbollist tjetër në Botëror e ka bërë një gjë të tillë? /vipsport/