Ditët e fundit u diskutua shumë për mos aktivizimin e tij me ekipin e Lokomotivës së Moskës. Madje duke u aluduar se rusët po bëheshin një pengesë për të ardhmen e tij. Fjala është për Mario Mitajn, i cili në dy ndeshjet e para të sezonit 2024-25 ka qëndruar në stol. Por futbollisti nga Vermoshi ka marrë minutat e para të edicionit të ri.
Ditën e djeshme, ekipi i Lokomotivës u përballë në kupën e Rusisë ndaj Rostovit. Kryeqytetasit arritën një fitore të ngushtë në shifrat 1-0 ndaj verdhebluve. Por edhe këtë duel, Mitaj nuk e nisi nga formacioni startues.
Mëngjërashi u hodh në fushën e lojës në minutën e 63-të të ndeshjes duke zëvendësuar Karpukas. Në atë moment shifrat ishin të mbërthyera në rezultain 0-0.
Por hyrja e Mitaj duket se i dha një ritëm tjetër Lokomotivës që shtoi sulmet ndaj portës kundërshtare. Duke i konkretizuar kështu me golin e fitores në minutën e 78-të nga Rakov, edhe ky i fundit i hedhur në fushë nga pankina. Mitaj nuk u aktivizua si zakonisht në linjën e majtë të mbrojtjes, por si një mesfushor qendre duke zhvilluar një performancë pozitive.
21-vjeçari ishte një nga zbulimet e Euro 2024 me fanellën e Shqipërisë. Duke u cilësuar edhe si një nga talentet më të mirë të kampionatit. Në këtë mënyrë duke tërhequr edhe vëmendjen e klubeve më të mëdha të Europës. Ku një ndër ta është edhe Juventusi, që duket se ende po këmbëngul për shërbimet e mbrojtësit të majtë.
Endri ÇINARI