Skënderbeu ndodhet në vendin e katërt në renditje, teksa kanë mbetur edhe tetë javë nga fundi i kampionatit. Një gjë të tillë në fillim të sezonit shumë pak njerëzve u shkonte në mendje. I këtij mendimi është portieri i Skënderbeut, Marko Alia, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ka folur rreth rezultateve të deritanishme të skuadrës dhe objektivit për të qenë pjesë e katër ekipeve të para të kampionatit.

Për Alian, në fillim askush nuk e mendonte të ishte kaq pozitive ecuria e këtij ekipi, që konsideronte si objektiv shpëtimin nga kategoria. Skënderbeu, sipas tij, kaloi të gjitha pritshmëritë, duke treguar se është një ekip që ka ende shumë për të treguar.

“Kemi bërë një kampionat të mirë deri në këtë pikë të sezonit. Një gjë të tillë e tregojnë rezultatet e marra dhe pikët e grumbulluara në raport me ekipet e tjera. Gjithashtu përballjet direkte me skuadrat që kryesojnë kampionatin. Të çoje në mend këtë ecuri në fillim, nuk besoj se ka rrezikuar dikush nga opinioni sportiv apo specialistët, por ne kemi shkuar përtej parashikimeve.

Kemi ndërtuar një grup shumë cilësor, që po tregon vlera dhe po rritet nga ndeshja në ndeshje duke ardhur gjithnjë e më shumë drejt konsolidimit. Po fitojmë eksperiencën dhe kjo na bën që të paraqitemi gjithnjë e më mirë. Megjithatë, unë jam i mendimit se kjo skuadër nuk ka treguar ende gjithë potencialin e vet, pasi ka shumë lojtarë të rinj në përbërje, që me fitimin e eksperiencës janë në rritje të vazhdueshme. Presim që të rritemi akoma dhe këtë e them me bindje”, theksoi fillimisht Alia, për t’u ndalur më pas edhe tek objektivi sezonal i Skënderbeut.

“Gjithnjë kemi pasur objektiv ndeshjen e radhës dhe në fund do të bënim llogaritë. Po vijojmë kështu, me të njëjtin ritëm, duke mos menduar më gjatë. Megjithatë, kur mbeten edhe tetë javë nga fundi i kampionatit, besoj se ‘Final 4’ është një objektiv i arritshëm për ne dhe do të ishim të lumtur të bënim pjesë në katër ekipeve më të mira të kampionatit. Garë ka akoma dhe ne do të mendojmë për ndeshjen e radhës”, vijoi gardiani bardhekuq.

DINAMO – Pushimi i kampionatit i jep kohë ekipit që të përgatisë ndeshjen kundër Dinamos në transfertë, të cilën Marko Alia e sheh si delikate, por të mundshme për të marrë tri pikët. “Kemi kohë për të përgatitur ndeshjen ndaj Dinamos, që është një takim delikat ndaj një kundërshtari që e kemi pranë në renditje. Jemi të bindur që do të jetë një betejë e fortë dhe delikate, por do të shkojmë atje për të bërë më të mirën. Skënderbeu gjithnjë shkon për të marrë maksimumin nga çdo takim dhe kjo na jep siguri për të tentuar gjithmonë fitoren”, përfundoi Marko Alia prononcimin e tij.