Në ndeshjen e luajtur në Shijak pak ditë më parë, ka qenë goli i shënuar pikërisht prej tij ai që i dha avantazhin skuadrës shkodrane “Vllaznia B” dhe ndonëse në fund u shënua edhe një gol tjetër, sërish ky goli i dytë ka patur më shumë vlera. Autor i tij ka qenë pikërisht Paulo Markolaj. Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, ai flet edhe për objektivat e skuadrës kur deklaron: “Ka qenë një fitore vërtetë e bukur për ne por ajo që na bëri përshtypje ka qenë dhuna e ushtruar nga vendasit ndaj shokëve të ekipit tonë. Një dhunë e papranueshme, fillimisht nga futbollistët e Erzenit dhe më pas edhe nga tifozët e kësaj skuadre. Për fat, çdo gjë u mbyll pa pasoja të mëdha. Me këtë trepikësh jemi besoj tashmë në rrugën e duhur për arritjen e objektivit që ka “Vllaznia B”, zënien e vendit të pestë. Skuadra në ndeshjet e fundit ka rritur performancën e saj, ka më shumë frymë grupi dhe të gjithë jemi më të ndërgjegjshëm se mund të bëjmë gjëra më të mira. I vetmi merak për ne është humbja me Dinamon në Shkodër që nuk e dimë si ndodhi. Nëse do ta kishim marrë edhe atë trepikësh, sot do ishim në pozita më komode. Megjithatë nuk do të shohim më prapa, vëmendjen e kemi të përqendruar tek sfida e së shtunës me Burrelin që do ta luajmë në Shkodër dhe këtë ndeshje patjetër që duhet ta fitojmë”.

© shkodrasport.com