Pak ditë më parë, pikërisht në prag të ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, drejtuesit e ekipit të Vllaznisë kanë federuar në FSHB, blerjen e tyre të re. Pikërisht Jovan Markovski. Nga sa bëhet e ditur, ky sportist është pjesë e kombëtares së Maqedonisë, 24 vjeç, 196 cm i gjatë dhe peshon 93 kg. Markovski prej katër vitesh ka qenë pjesë e ekipit të kryeqytetit maqedonas Torus Skopje dhe tashmë deri në fund të këtij sezoni, do jetë pjesë e Vllaznisë së Shkodrës.

Nisur edhe nga paraqitja që ka bërë në dy ndeshjet e para me këtë skuadër, është krijuar përshtypja tek të gjithë se Markovski është blerja më e mirë nga të gjithë të huajt që kanë hyrë këtë periudhë në ekipet e kampionatit shqiptar. Kjo sepse është krijuar përshtypja se ai bën diferencën me lojtarët e tjerë. Në të dy ndeshjet që është aktivizuar, ka shënuar mbi 20 pikë në secilën dhe prandaj maqedonasi 24 vjeçar pritet të jetë një pikë shumë e fortë e skuadrës shkodrane edhe në fazën e dytë të kampionatit. Tek Vllaznia ka ardhur edhe malazezi Nikola Kovaç por ky i fundit duket se nuk është në nivelin e maqedonasit. E rëndësishme është që trajneri Bledar Gjeçaj tashmë ndihet më i plotë dhe skuadra e tij do rivalizojë deri në fund për titullin kampion. Ky duket se do jetë kampionati më interesant i viteve të fundit pasi përveç Vllaznisë që ka marrë dy të huaj, edhe Shoqata Tirana ka marrë tre basketbollistë malazezë, Apolonia ka marrë një amerikan dhe me shumë mundësi edhe ekipet e tjera do bëjnë ndërhyrje në merkato.
www.shkodrasport.com