Pas Obanorit, ka ardhur edhe reagimi i mesfushorit të Vllaznisë, Herald Marku, për incidentin e shëmtuar të ndodhur në fundin e ndeshjes Vllaznia-Laçi, që përfundoi me rezultatin 1-0.
Mbrojtësi i Laçit akuzoi Markun për racizëm, ndërkohë që në reagimin e tij, shkodrani i ka cilësuar akuzat e Obanor, si shpifje të ulta dhe të neveritshme. Sipas mesfushorit, frika nga dënimi për atë gjest antisportiv çon drejt justifikimit.
REAGIMI I HERALD MARKUT:
Frika nga dënimi për atë gjest antisportiv, çon drejt justifikimit. Është një shpifje e ulët dhe e neveritshme, shumë larg edukatës time. Përveç dhunës në fushë, kërkon të nxisë nëpërmjet rrjeteve sociale urrejtje me motive raciste, me shpifje pa asnjë fakt të besueshëm.
Nuk kam pasur asnjë dialog gjatë ndeshjes me lojtarin e Laçit. Asnjë fjalë të vetme. Mesfushor qendre, kam qenë çdo moment pranë arbitrit kryesor. Gjatë karrierës time kam demonstruar vetëm respekt për kundërshtarët.
Të gjitha pamjet filmike mund të tregojnë qartë. Falenderoj të gjithë miqtë, shokët e mi dhe ndjekësit që me mesazhe dhe telefonata janë interesuar për shëndetin tim.