E njeh ndoshta më mirë se kushdo tjetër mënyrën si ka funksionuar Vllaznia në vite, kjo edhe për shkak të profesionit të tij të gazetarit prej më tepër se 40 vitesh. Si rrjedhojë, sivjet ka vënë re disa ndryshime për mirë në klub dhe ato i ka thënë.
Gaspër Marku, gazetari i mirënjohur sportiv, këtë herë ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1 Channel dhe duke folur për Vllazninë e këtij sezoni ka thënë:
“Në krahasim me sezonet e kaluara, sivjet duket një organizim krejt ndryshe te Vllaznia, tani po i vjen taman “era” klub. Ardhja e sponsorit Xhaferi ka bërë që klubi Vllaznia të formatohej dhe të plotësohej në të gjithë organikën e tij.
Kjo duke filluar nga drejtori sportiv i cili nga një drejtor me korrespondencë që ishte sezonin e kaluar, sepse drejtonte kombëtaren moldave, tani kemi një drejtor tjetër që është gjithë kohën në Shkodër dhe gjithë kohën i angazhuar me problemet e klubit.
Po ashtu ardhja e trajnerit gjerman, ardhja e Plorit, bashkë edhe me Osjen e Lekiqin, kanë bërë që stafi të jetë i plotë dhe bashkëkohor. Megjithatë nuk mund të anashkalojmë edhe punën e pjestarëve të stafit të vjetshëm ku duhet të themi se administratori Suad Lici ka qenë krejtësisht i vetëm dhe ka bërë një punë kolosale.
Pra nese themi qe sot klubi funksionon dhe ka gjithe keto hallka dhe struktura, llogarit pastaj se çfare pune ka bere Suad Lici i vetem tek Vllaznia”./SHKODRA-SPORT.COM/