Mes atyre shembujve të paktë të vërtetë në futbollin shqiptar, përfshihet edhe Antonio Marku. Në fakt është problemi i futbollit modern në gjithë botën, jo vetëm i Shqipërisë, teksa lojtarët e dorëzojnë dashurinë për fanellën para parave.
Por jo në rastin e Markut, që e ka dëshmuar aq shumë herë dashurinë për ngjyrat kuqeblu. Madje edhe kur rrugët e jetës e ndajnë nga klubi, nuk zgjedh të marrë automjetin e parë për të ikur prej aty, por qëndron në stadium për të qënë një më shumë, si tifozi i Vllaznisë.
Sepse kjo është edhe filozofia e këtij futbollisti, që nuk kërkon vëmendjen e kamerave, një ushtar më tepër i Vllaznisë. “Sport Ekspres” e ka kontaktuar për të marrë një emocion më tepër të lojtarit, sesa dëshironte që në ndeshjen ndaj Laçit, të kapërcente stolat e tribunës ku qëndronte, të merrte fanellën dhe të futej në fushë.
“Pyetja juaj është shumë interesante. Sepse realisht ishte diçka e veçantë që pas shumë vitesh në fushën e lojës ta shihje Vllazninë në shkallët e stadiumit si një tifoz. Lufta filloj mbarë dhe për këtë u gëzova shumë bashkë me tifozët e vërtetë.
Rëndësi ka që interesat e ekipit dhe të qytetit të jenë më të mëdha e më të rëndësishme se interesat apo ndjenjat personale.
Fatkeqësisht kemi parë interesat e përfitimet personale kanë qënë më të forta se suksesi i përbashkët, e të gjitha këto i ka vuajtur në kurriz ekipi, tifozët dhe qyteti.
Për mua personalisht mund të them që zhgënjimi për padrejtësitë që bëhen është i madh, por asnjëherë nuk është më i madh se dashuria dhe dëshira që kam për të shikuar sa me lart ngjyrat kuq e blu. E kjo është arsyeja pse dje isha në stadium duke inkurajuar me zemër ekipin e duke festuar me tifozët e vërtetë.
Kurse për sa i përket aventurës së re në “Superligën e Kosovës”, mund të them me siguri të plotë që niveli dhe gara futbollistike në këtë kampionat është rritur ndjeshëm e do vazhdoj të rritet.
Prandaj vendosa të jap kontributin tim profesional në KF Drenica, e cila është një skuadër shumë e mirë, me drejtues që e duan futbollin dhe me futbollistë të talentuar. Gjej rastin të falenderoj stafin dhe shokët e ekipit për mikpritjen”, u shpreh Marku.